E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa punëtorë të M & Sillos kanë hyrë në grevë

Rreth 40 punëtorë të fabrikës së miellit M & Sillos në Xërxë të Rahovecit, kanë hyrë në grevë, duke kërkuar nivelizimin e pagave, pagesën e orëve të natës dhe të ditëve të festave. Këtë informacion e dha për RTK-në, Agim Thaçi, si përfaqësues i Kryesisë së Sindikatës së punëtorëve, që janë në grevë në ambientet e fabrikës.
Ekipi i RTK-së, deshi të kontaktojë me punëtorët dhe menaxhmentin e fabrikës për këtë grevë, por sigurimi i objektit nuk lejoi që të afrohemi afër fabrikës me arsyen se, nuk ishim të ftuar dhe greva është problem i brendshëm i fabrikës.

Punëtorët grevistë u munduan të dalin deri tek dera për të kontaktuar me gazetarët, por sigurimi kishte paralajmëruar se, nëse e kalonin derën e rrethojës së fabrikës, nuk do të lejoheshin më të futeshin brenda.

Sipas Agim Gashit, tek ata po ushtrohet presion që nëse nuk do të fillonin punën do të nxirreshin jashtë me polici. Duke kontaktuar vazhdimisht me anë të telefonit me punëtorët në grevë, ata thonë se, asnjë sektor në M & Sillos nuk është duke punuar, si dhe punëtorët do të vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›