E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa ushtar mund të kenë bërë krime

Nga Express më 28 mars 2011 në ora 12:16

I dërguari i posaçëm i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, njëherësh edhe përfaqësues i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) ka thënë se hapat e parë të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit janë pozitivë dhe se suksesi i këtyre bisedimeve mund t’iu sjellë të dyja palëve përfitim të madhe në rrugën drejt afrimit në BE.

“Kemi arsye të besojmë se dialogu do të jetë i suksesshëm dhe i frytshëm. Edhe për Serbinë dhe për Prishtinën ekzistojnë përfitime të rëndësishme nga ky dialog, siç është afrimi në BE, secila në mënyrë dhe ritëm të vet. Mendoj se të dy palët kanë vullnet për të arritur rezultate”, ka thënë Feith në një intervistë për Zërin e Amerikën në serbisht, transmeton Zëri.

Kur është fjala për veriun e Kosovë, ai ka thënë se atje nuk do të duhet të kishte dhunë dhe se kjo pjesë e vendit nuk duhet të jetë një lloj i “konflikti të ngrirë”.

“Brenda këtyre parametrave, i mbetet dialogut të gjejë zgjidhje që është e pranueshme për qytetarët e veriut, Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Feith.

Ndërkaq, duke komentuar arrestimet e fundit të ish-ushtarëve të UÇK-së nga ana e EULEX-it, Feith ka thënë se disa pjesëtarë nga UÇK-së, të cilët janë konsideruar heronj, mund të kenë bërë krime apo disa vepra të tjera për të cilat duhet të përgjigjen personalisht.

Feith ka thënë se EULEX-i ka dy prioritete në mesin e shumë të tjerave dhe konsideron se për shoqërinë e Kosovës është një sfidë e madhe që këtë ta pranojë.

“Mendoj se ky është një proces i cili do të zgjasë pak, ndërkohë që sundimi i ligjit duhet patjetër të vendoset dhe EULEX-i duhet të bëjë punën e tij”, theksoi Feith për Zërin e Amerikës” në serbisht.

Sipas tij, nëse ka prova të mjaftueshme, atëherë të dyshuarit duhet të akuzohen dhe të nxirren para drejtësisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›