E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHIK-u, i sponsoruar nga CIA

Nga Express më 28 mars 2011 në ora 12:15

(E plotësuar) Web-faqja autoritative e lajmeve nga Bostoni i SHBA-së, Global Post në një shkrim të gjatë me titullin “Mafia e Kosovës – vrasje dhe frikësim”, fokusohet në aktivitetet e SHIK-ut, duke thënë se kjo organizatë gjatë gjithë kohës ka marrë përkrahje të fortë nga Uashingtoni.

“Menjëherë pas luftës së vitit 1999, agjencia famëkeqe e inteligjencës u bë një entitet jashtëligjor që fillimisht ishte nën komandën e lëvizjes guerile fitimtare UÇK që kishte përkrahjen e SHBA-së. Më pas u udhëhoq nga PDK-ja thonë burime amerikane dhe kosovare. Lideri i partisë është Hashim Thaçi, që fitoi së fundi mandatin e dytë në pushtet, dhe që ka përkrahjen e nivelit më të lartë në Uashington”.

“Sot, SHIK-u nuk ka zyre dhe zyrtarisht nuk ekziston, sipas njeriut që e ka udhëhequr për 9 vjet. Por, burimet e lidhura me SHIK-un, thonë se ai mbetet aktiv për të mbajtur status-quon nëpërmjet frikësimit dhe shantazhit”, shkruan gazetari Matthew McAllaster, transmeton Indeksonline.

Vetë udhëheqësi i SHIK thotë se ka pasur mbështetjen e SHBA-së, diçka që konfirmohet edhe nga një ish-pjesëtar i SHIK-ut, një ish-mbledhës i fondeve për luftën, një diplomat ndërkombëtar dhe një analist politik.

“Global Post” ka intervistuar Nazim Bllacën që thotë se ka vrarë për SHIK-un. Kjo gazetë ka intervistuar edhe Adem Salihajn dhe Agim Veliun, që kanë thënë se SHIK-u ka bërë atentate ndaj tyre, sikurse edhe Drita Kllokoqin, burri i së cilës u vra nga Nazim Bllaca, si dhe vetë kreun e SHIK-ut, Kadri Veselin.

Ky i fundit e pranon ndihmën e SHBA-së, dhe në mënyrë indirekte pranon se ka marrë pjesë në secilin manifestim të organizuar nga Ambasada e SHBA-së për nder të 4 korrikut – Ditës së Pavarësisë së Amerikës.

Shumica e njerëzve që folën me GlobalPost për SHIK-un, aktivitetin e tij dhe lidhjet me SHBA-në, kanë folur në kushte anonimiteti, sepse kanë frikë për jetën e tyre.

“U sponsorua nga CIA”, tha një ish-zyrtar i lartë amerikan në Kosovë, që beson se SHIK-u u kthye në një organizatë të krimit të organizuar. “Në fillim ishin nja 16 persona të përzgjedhur mirë dhe të trajnuar për të bërë gjëra të mira…por u shndërrua në organizatë që kontrollon krimin dhe politikën e Kosovës”, thotë zyrtari amerikan.

Sipas tij, SHIK-u ende mbështetet nga SHBA-ja, dhe atë më shumë se kurrë tash.

Një ish-pjesëtar i SHIK-ut që nuk jeton më në Kosovë thotë se anëtarët e tij janë trajnuar në SHBA dhe në Gjermani, nga zyrtarë amerikanë të inteligjencës.

Thaçi s’mund të hyjë në SHBA?

Ueb faqja autoritative e lajmeve nga Bostoni i SHBA-së, “Global Post”, pas një investigimi tremujor, ka publikuar tri shkrime rreth Kosovës, ku vendin tonë e përshkruan si vendin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjithçka, sipas kësaj ueb faqe, ka ndodhur me njohurinë e zyrtarëve më të lartë amerikanë.

Protagonist është kryeministri Hashim Thaçi, që sipas “Global Post”-it nuk mund të marrë më një vizë të zakonshme për të hyrë në SHBA.

“Nëse Thaçi dëshiron të vizitojë SHBA-të përsëri nuk do të mund të marrë ndonjë vizë tjetër, pos vizës diplomatike, që i jep atij imunitet”, i ka thënë një burim qeveritar “Global Postit”.

SHBA-ja nuk u lejon shtetasve të huaj të hyjnë në shtet, nëse ata kanë akuza të pazgjidhura që lidhen me të drejtat e njeriut.

“Thaçi u ka thënë njerëzve të tij të afërt se tash ai është i shqetësuar të udhëtojë jashtë për shkak të frikës se mund të arrestohet në ndonjë shtet të huaj”, ka thënë ky burim.

Po ashtu Global Post në një shkrim të gjatë me titullin “Mafia e Kosovës - vrasje dhe frikësim”, fokusohet në aktivitetet e SHIK-ut, duke thënë se kjo organizatë gjatë gjithë kohës ka marrë përkrahje të fortë nga Uashingtoni. (Zëri)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›