E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis rundi i dytë i bisedimeve

Nga Express më 28 mars 2011 në ora 12:57

Ka nis sot paradite në Bruksel rundi i dytë i bisedimeve Prishtinë – Beograd. Temë bisedimesh do të jenë, siç është paralajmëruar, librat amë, rryma dhe ndoshta edhe çështja e doganave.

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri para takimit ka deklaruar se pret shumë nga ky rund i bisedimeve. “Në rundin e parë të bisedimeve patëm rastin që të ulemi dhe të shohim se si të dyja palët mendojnë për zgjidhjen e çështjeve praktike në agjendë.

Pres që ky rund të jap më shumë progres, dhe ndodhsha do të përqendrohemi më shumë në aspektet substanciale të një çështjeje, dhe do të përpiqemi të bëjmë hapa shtesë. Sot do të përqendrohemi në temën për telekomunikacionit dhe ndoshta do të vazhdojmë edhe me temat tjera që folëm edhe gjatë rundit të parë dhe do të diskutojmë për lirinë e lëvizjes, ndërsa sa i përket telekomunikiacionit do të përpiqemi t’i normalizojmë raportet mes dy shteteve.

E dimë se ekziston një ndërhyrje nga ana e Serbisë në sistemin e telekomunikacionit të Kosovës si dhe në sistemin e energjetikes e që jo vetëm se po e dëmton kualitetin e shërbimit, por po krijon edhe humbje materiale dhe pengon bashkëpunimin rajonal në këtë fushë”, tha Tahiri e cila shtoi se qëllimi është se si të përmirësohen raportet mes dyja vendeve në këto dy fusha.

Ndërsa Shefi i delegacionit serb, Borisllav Stefanoviq ka deklaruar se pret që ky rund të përfundoj me sukses. “Sot sigurisht do të flasim për çështjet si rryma dhe furnizimi me të si dhe përdorimin e rrymës nga kompanitë serbe dhe konsumatorët serbë në Kosovë, po ashtu edhe për rregulloret e telekomunikacionit dhe çmimet e kompanive. Jemi optimistë se mund të bëjmë më shumë këtë herë”, ka deklaruar Stefanoviq. (koha)

Kuçi: Bisedimet Kosovë - Serbi, çështje e inversit rajonal

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka vlerësuar se bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon, ndërkaq ka siguruar qytetarët e Kosovës se identifikimi i mbetjeve mortore të personave të pagjetur është çështje e rëndësisë së veçantë.

Sot në Bruksel zhvillohet raundi i dytë i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, ku pritet që të diskutohen për energjetikë, komunikacion dhe lëvizje të lirë.

Duke rikujtuar se kjo është faza fillestare e bisedimeve Kosovë - Serbi, Kuçi nuk ka dhënë ndonjë qëndrim të qartë në lidhje me mbarëvajtjen e këtyre bisedimeve, ndërkaq ka shtuar se temat të cilat deri më tani janë diskutuar janë të karakterit ndërshtetëror, të cilat do i ndihmojnë bashkëpunimit rajonal dhe procesit të integrimeve evropaine.

Ai ka shprehur bindjen e tij që këto bisedime do të përfundojnë me ndonjë marrëveshje paqësore, apo me një traktat të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe me ndonjë konsolidim të përhershëm të paqes.

“Ajo çka mund të themi tani, është se nuk mund të jemi të entuziazmuar nga ajo që mund të ndodh ndonjë revolucion në kuptimin pozitiv shumë shpejtë, por Kosova do t’i kryejë obligimet e veta dhe të jetë partner serioz i bashkësisë ndërkombëtar dhe në këtë rast ne bisedimet i bëjmë për hir të raporteve tona me BE-në dhe me SHBA-të, prezenca e tyre është e domosdoshme, por edhe për hir të stabilitetit dhe paqes afatgjate në rajon, por gjithmonë duke e ruajtur karakterin tonë në saje të identitetit shtetëror dhe atij kombëtarë”, ka thënë Kuçi.

I pari i drejtësisë në Kosovë ka theksuar se Kosova shkon me orientim pozitiv dhe me qëndrueshmërinë e saj si shtet në këto bisedime, ndërkaq ka shtuar se çështja e personave të pagjetur do të jetë temë e rëndësisë së veçantë, për të cilën do të punohet në bashkëpunim të ngushtë me ndërkombëtarët.

“Jo vetëm që do të jetë çështje e bisedimeve, por çështja e të pagjeturve dhe ajo e profesor Ukshin Hotit dhe personaliteteve në tërësi do të jenë në fokus tonin. Unë pretendoj që të riorganizoj Komisionin për të Pagjeturit në tërësi dhe njëkohësisht do të bashkëpunoj ngushtë edhe me Departamentin e Mjekësisë Ligjore. Ajo çka varet nga ne në kuptimin e ndërtimit të infrastrukturës ligjore adekuate dhe të bashkëpunimit ndërkombëtarë edhe me Kryqin e Kuq Ndërkombëtarë, me mekanizmat tjerë, por edhe në ndërtimin e laboratorit adekuat për indetifikimin e mbetjeve mortore, unë do t;i kryej obligimet e mia”, ka theksuar ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›