Disiplina Jo Kokedhimes per denimin e rebeleve
Hidhen poshtë kërkesat e kryetarit të Komisionit të Kategorisë Superiore, Koço Kokëdhima, për ndëshkimin e dy prej drejtuesve të lartë të klubeve “rebele”, Vllaznisë dhe presidentit të Bylisit Besnik Kapllanaj, të cilët akuzohen për mesazhe kërcënuese në drejtim të disenjatorit të gjyqtarëve, Arsen Hoxha. Drejtuesit e dy klubeve të mësipërme, bashkë me disa të tjerë, ishin edhe protagonistë të incidenteve në mbledhjen e fundit të këtij komisioni. Ajo mbledhje dështoi, pasi gjatë zhvillimit të saj pati përplasje të ashpra mes disa drejtuesve të klubeve dhe kryetarit Kokëdhima apo edhe presidentit të FSHF-së. Presidentët e Vllaznisë, Shkumbinit, Bylisit, Laçit dhe Kastriotit kërkonin me ngulm shkarkimin e kryetarit Kokëdhima. Kryetari i Komisionit të Kategorisë Superiore i ka kërkuar Disiplinës ndëshkimin e Vllaznisë me 35 milionë lekë të vjetra dhe presidentin e Bylisit me 25 milionë, por një gjë e tillë nuk është pranuar. Sipas anëtarëve të Komisionit të Disiplinës, mospranimi i kërkesës ankimore të paraqitur nga kryetari i Komisionit të Kategorisë Superiore për dënimin e Besnik Kapllanajt, presidentit të Bylisit dhe atij të Vllaznisë, Valter Fushaj, ku pretendohej se ata i kanë shkelur nenet 59 e 60 të Kodit të Disiplinës Sportive, pasi ajo nuk plotëson kriteret e parashikuara nga këto dispozita të KDS, duke qenë se zyrtari i referuar me pretendime për kërcënim dhe shtrëngim nuk është zyrtar i ndeshjeve. Këto dispozita referojnë vetëm dhe ekskluzivisht vetëm zyrtarët e ndeshjeve dhe në ushtrimin e detyrës së tyre gjatë ndeshjeve. Ndërkohë “viktimë” e Disiplinës ka qenë edhe trajneri i Tiranës, Nevil Dede, i cili është pezulluar për dy ndeshje për hyrje në fushë pa lejen e gjyqtarit në ndeshjen e fundit të barazuar 1-1 në shtëpinë e Bylisit. Po ashtu, një gjobë prej 50 mijë lekësh të reja ka shkuar për mbrojtësin bardheblu Tefik Osmani, për deklarata ofensive në shtyp ndaj zyrtarëve të ndeshjeve.