Diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoni, BDI: “Mund të ankoheni”
“Qentë lehin, karvani ecën përpara” kjo fjalë popullore është ilustrimi më i mirë sa i përket problemeve dhe halleve të shqiptarëve në mosrespektimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në institucionet shtetërore. Kështu ndodhi me konkursin e fundit për pranimin e mjekëve të ri në spitalin e qytetit `8 shtatori` ku nuk u pranua asnjë shqiptar, ndërsa deputetët e pushtetit ata të BDI-së lavdërohen se përfaqësim adekuat dhe i drejtë është paraparë edhe në ndryshimet e fundiit të ligjit për mbrojtje shëndetësore .
Tala Xhaferi koordinator i Grupit parlamentar i zgjedhur nga populli për t`i mbrojtur të drejtat e tyre tani thotë që ata që s`janë pranuar le të ankohen.
“Po qe se kjo normë nuk është siguruar jo rastësisht në ligj parashihen edhe të drejtat për ankimim dhe gjithë ata të interesuar që mendoj se nuk është zbatuar një normë ligjore para gjyqit administrativ”, tha Talat Xhaferi, BDI.
Ndërsa ky i fundit thirret në ligjin përkatës i cili duhet respektuar, partneri i tij koalicionit ka interpretim krejt tjetër të kësaj norme ligjore por edhe kushtetuese. Përkujtojmë çka deklaroi ministri i shëndetësisë Todorv në pyetjen e Alsat M ditë më parë .
“Ligji nuk shkelet me dispozitën e kushtetutës, unë nuk them se nuk duhet të jenë të përfaqësuar të gjitha bashkësitë etnike, duhet të jenë, ky është qëndrimi im, por duhet të përfaqësohen të gjitha bashkësitë etnike në pajtim me cilësinë e testimeve që do t`i bëjnë, sepse shëndetësia është një sistem i ndjeshëm dhe atje duhet të zgjidhen ata që kanë më shumë dije dhe përvojë, pavarësisht nga cila bashkësia etnike vijnë”, tha Nikolla Todorov, Ministër i Shëndetësisë.
Për këtë situatë edhe sot kanë reaguar deputetët e opozitës shqiptare. Sipas RDK-së, drejtori spitalit “8 shtatori” me dy këmbë shkel nenin 156 të ligjit për mbrojtje shëndetësore në të cilin qartë dhe në mënyrë taksative theksohet edhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i përfaqësueve të bashkësive të tjera etnike. Ai madje përmendi një rast konkret të një kandidateje shqiptare që ka konkurruar në këtë konkurs dhe është refuzuar.
“Është krejt e papranueshme që në kushte kur drejtori paraqet listen selekisonuese ai përjashton nje kandidate shqiptare që për fat të mirë unë gjeta të dhënat e saj, është Lejla Ibrahimi që ka kryer universitetin e Stambollit fakulteti i mjekësisë dhe e kanë fshehur mesataren e saj edhe përkundër asaj se kolegia ka dorëzuar transkript në origjinal dhe të përkthyer edhe në gjuhën maqedonase dhe kandidatja nga 2004 pret për punë, 6 vite të kryera në Turqi plus specializim dhe ajo ka marr më pak pikë në anglisht në kushte ku shkollën e mesme e ka kryer në gjuhën angleze”, tha Izet Zeqiri, RDK.
Ndërsa për PDSH e Thaçit punësimet në këtë ent shëndetësor paraqesin zero-n e radhës për BDI.
“Zeron më të re ua serviri shqiptarëve në konkursin e ri në pranimin e kuadrit mjekësor në institucionet shëndetësore ku nuk u pranua asnjë shqiptar nga ana tjetër pala maqedonase për çdo ditë punëson maqedonas dhe ky numër për 4 vite qeverisje BDI-VMRO arrin shifra e dhjetër mijëra të punësuar maqedonas”, tha Orhan Ibrahimi, PDSH.
Ndryshe neni 156 që ka të bëj me punësimin e punëtorëve shëndetësor thuhet:
Punësimi i punonjësve të shëndetësisë, Neni 156
`Procedura për plotësimin e vendeve të lira të punës në entet shëndetësore rregullohet në mënyrë që punësimet e punëtorëve shëndetësor zbatohet sipas procedurës transparente në bazë të kritereve të profesionalizmit dhe kompetencës si dhe zbatim të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të përfaqësuesve të bashkësive`.
Sipas të dhënave më të fundit përfaqësimi i shqiptarëve në shëndetësinë publike është vetëm 11për qind.