E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sahiti, ‘kurban’ i Gjilanit

Muharrem Sahiti pritet të bëhet ‘kurban’ i normalizimit të raporteve mes udhëheqësve të Gjilanit. Tashmë edhe anëtarët e tjerë të bordit kanë filluar të pajtohen që Sahitin në postin e trajnerit ta zëvendësojë Sallah Sherifi. E trajnerit të deritanishëm pritet t’i ofrohet posti i drejtorit sportiv.

Hallakama e krijuar kohëve të fundit në Gjilan duket se po shkon drejt përfundimit dhe ‘kurban’ i kësaj pritet të bëhet Muharrem Sahiti.

Thuajse shumica e anëtarëve të bordit të këtij klubi tashmë kanë filluar të pajtohen me vendimin e dy kolegëve të tyre, Shukri Sylejmanit e Blerand Sermaxhajt, për shkarkimin e Muharrem Sahitit nga posti i trajnerit, në vend të të cilit kishin emëruar Sallah Sherifin – vendim ky që fillimisht kishte ngjallur pakënaqësi te disa anëtarë tjerë të bordit.

Por, tani situata duket se ka nisë të qetësohet, pas një mbledhjeje tjetër që e kanë mbajtur gjashtë anëtarët e tjerë të bordit, i cili përbëhet prej njëmbëdhjetë personave. Këta gjashtë individë kanë lëshuar pe karshi vendimit të iniciuar nga Shukri Sylejmani për ndërrimin e bërë në krye të shtabit teknik.

Madje, në këtë takim janë gjetur edhe njerëzit për t’i mbuluar pozitat udhëheqëse të klubit, të cilët pritet të zyrtarizohen brenda kësaj jave, në një mbledhje ku do të marrin pjesë gjithë anëtarët e kryesisë.

“E kemi mbajtur një mbledhje. Kemi marrë pjesë gjashtë anëtarë të bordit, përfshirë Blerand Sermaxhajn, por edhe zyrtarë komunalë. I kemi marrë disa vendime. Në njëfarë mënyre kemi zgjedh kryetarin, nënkryetarët etj., por emrat do të publikohen pasi të zyrtarizohen në një takim të shpejtë, që do ta mbajmë, ku do marrin pjesë gjithë anëtarët”, ka deklaruar për Express anëtari i bordit të Gjilanit, Lulëzim Korça, i cili fillimisht e kishte kundërshtuar vendimin e Sylejmanit e Sermaxhajt për shkarkimin e Sahitit nga posti i trajnerit.

Sipas tij, Muharrem Sahitit do t’i ofrohet posti i drejtorit sportiv të klubit. “Anëtarët e bordit janë të mendimit për t’i dhënë hapësirë Sherifit. Ata pa Sahitin nuk mund ta paramendojnë Gjilanin, andaj atij do t’i ofrohet posti i drejtorit sportiv dhe kjo sigurisht se do ta qetësojë situatën dhe Gjilani do të jetë shumë më i fortë në pranverë”, theksoi ai.

Në anën tjetër, Shukri Sylejmani nuk ka dashur të flasë. Ai tha shkurt se Gjilani që disa vite punët nuk i ka pasur asnjëherë më mirë sesa tani.

Gazeta Express ka provuar ta kontaktojë edhe Muharrem Sahitin, por telefoni i tij ishte i shkyçur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›