E Diel, 1 Nëntor 2026

Diskutojnë për filmin

Të hënën në mesditë u mbajt një takim i përbashkët i drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Fatos Berisha dhe kryetarit të sapozgjedhur të Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, Lirak Çelaj.

Në takimin e parë, i cili do të duhej të ishte takim i rregullt pune, pasi që të dy janë rishtazi në detyre të re, dy drejtuesit, ai i QKK-së Fatos Berisha dhe ai i UAFK-së, Lirak Çelaj, mbajtën konferencë në prani të medieve, duke pasur parasysh rrjedhën e ngjarjeve të fundit në institucionet që ata drejtojnë.

Berisha pohoi se ky takim u bë publik, duke pasur parasysh ngjarjet e fundit. Ai më tutje gjatë takimit shtoi se qëllimi i përbashkët i QKK-së dhe UAFK-së është zhvillimi i kinematografisë. Sipas tij, këshilli drejtues ka sjellë vendimin për fituesit dhe ka bërë të ditur se afati ligjor për ndonjë ankesë është 8 ditë. QKK-ja vazhdon me procedurat dhe nëse nuk ka ndonjë ankesë, do të bëhen kontratat me të përzgjedhurit.

“Buxheti nuk duhet të humbet, ende ka kohë deri më 15 dhjetor kur mbyllet buxheti për vitin 2011. Unë shpresoj që jemi me kohë. Afatet ligjore për ankesa janë ato që janë dhe unë nuk shoh ndonjë pengesë që buxheti të humbet. Përveç nëse ndodh diçka e paparashikueshme”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë, Çelaj tha se u interesua rreth buxhetit të filmit, që sipas medieve u paralajmërua se mund të humbet. Sipas tij, po të humbej ky buxhet vërtet do të ishte një dëm i madh. “Biseduam edhe për përfaqësimin e UAFK-së në trupat tjerë, që për hir të transparencës të gjejmë forma se si të përfaqësohemi edhe në jurinë vlerësuese po edhe në mekanizmat tjerë”, tha Çelja

Sipas tij, UAFK-ja nuk ka pasur zyrë dhe për këtë është kërkuar ndihmë nga QKK-ja. Dhe sigurisht do të shihen mundësitë ligjore dhe financiare për të na ndihmuar.

Çelaj për buxhetin e sivjetmë dhe për atë që është folur për vitin e ardhshëm, tha se është shumë i vogël për të pretenduar kinematografi serioze. “Mendoj se është me interes edhe për Kosovën që ky buxhet ndoshta të trefishohet, sepse kështu do ta rregullonte imazhin”, shtoi ai.

Ndërkohë për ankesën e Gjocit në emër të UAFK-së, që është bërë kohët së fundit, i njohur tashmë si problem nga mediat, Çelaj tha se edhe zyra ligjore ka konstatuar se ka pasur shkelje. “Blerimi ka bërë ankesa edhe nga pozicioni i producentit. Atëherë nëse na bind neve që ka pasur probleme tjera dhe jotransparencë, natyrisht se do t’u dalim në ndihmë, sepse kjo është një prej detyrave tona”, tha në fund Çelaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›