E Shtunë, 31 Tetor 2026

PreFoto në Preshevë

Siç edhe është paralajmëruar, në shtëpinë e kulturës Abdullah Krashnica, në Preshevë, më 19 nëntor u mbajt Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë Artistike –PreFoto.

Në konkurs morën pjesë këto shtete: Turqia, Kosova, Korea e Jugut, Egjipti, Serbia, Kanadaja, Maqedonia, Shqipëria, Malajzia, Mali i Zi, SHBA, Holanda, Kroacia dhe India.

Në konkursin e hapur për një kohë të gjatë, u mblodhën dhe u përzgjodhën shumë fotografi artistike, të bëra nga individë, pa dallime moshe, gjinie apo race. Tema ishte e lirë, kështu që secili pjesëmarrës pati mundësi që të shprehte anën kreative të vetes përmes fotografisë. Kështu që, secila fotografi bartte një mesazh në vetvete.

Mbrëmja filloi me prezantimin e vlerës së fotografisë dhe të qëllimit kryesor të kësaj gare artistike. Ngjarjen e përshëndetën edhe përfaqësuesit e Këshillit Nacional Shqiptar, që ishte mbështetësi kryesor të kësaj ngjarjeje të rrallë artistike në Preshevë. Para të pranishmeve foli edhe drejtori artistik, Edon Agushi, i cili la të kuptohet se ky konkurs i fotografisë tash e tutje do të jetë tradicional.

Për shkak të largësisë shumë pjesëmarrës nuk patën mundësi që ngjarjen ta përcjellin nga afër, megjithëse dërguan video-incizimet e tyre, përmes të cilave përshëndetnin të pranishmit.

Ndryshe, juria e përbërë nga Faruk Basha (Shqipëri), Arben Allia(Shqipëri) dhe Osman Demiri (Maqedoni) përzgjodhi tri fotografi si më të mirat e kësaj gare. Çmimi i tretë iu dha Naim Shalës (Kosovë), për fotografinë “The weight of years” (Pesha e Moshës); vend i dytë iu nda Lus Jazxhi, për fotografinë “Tube”; ndërkaq vendi i parë i takoi Murat Sayginer (Turqi), për fotografinë “Art Needs No Words” (Arti S’ka Nevojë për Fjalë).

Çmimi special, i cili iu dedikua vetëm pjesëmarrësve nga Lugina e Preshevës, iu nda Samir Shahini, për fotografinë “Between Them” (Mes Tyre).

Edhe pse ishte hera e parë, kjo ngjarje u prit mirë nga vendasit dhe u çmua nga kritikët e fotografisë. Pjesëmarrësit nga Shqipëria e Kosova, të cilët ishin të pranishëm në mbrëmjen e organizuar, patën mundësi të shëtisnin në Preshevë dhe të njiheshin nga afër me jetën dhe kulturën e këtij qyteti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›