Kapiteni Shkëmbi: Tani të fokusohemi kundër Shkumbinit
Mesfushori u bën thirrje shokëve që të mos shpërqendrohen dhe kërkon ndihmën e tifozërisë korçare
Kapiteni Bledi Shkëmbi, një nga lojtarët më aktivë të skuadrës, jo vetëm në fushën e lojës, gjë që e bën me pasionin që nuk i mungon asnjëherë, ka folur pas fitores historike të Skënderbeut në Krujë. “Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, - thotë Shkëmbi, - Skënderbeu është përherë triumfues në Krujë”, duke bërë një paralelizëm historik, ndërkohë që tashmë vetëm 12 pikë diferencë nga ekipi i Flamurtarit janë mundësia e vetme për t’ia dalë mbanë. Duket se era e Shpëtim Duros i ka sjellë jo pak fat korçarëve, gjë që e pranon dhe vetë kapiteni, sipas të cilit nga 7 pikë diferencë, që skuadra kishte pas largimit të trajnerit të mëparshëm të saj Muçës, janë eliminuar 6 pikë në një kohë të shkurtër dhe tashmë lufta për titull varet nga kjo diferencë në minimumin e mundshëm, por dhe fitoret që i nevojiten në vazhdim. “Ndeshja me Krujën, padyshim që ishte një ndeshje e vështirë, të paktën ashtu si e kishim përfytyruar, duke e njohur realisht kundërshtarin. Në bëmë jo pak në fushën e lojës, por këtë herë kishim dhe fatin me vete. E them këtë se edhe Kastrioti pati 3 apo 4 raste shumë të mira. Ne ishim shumë racionalë gjatë lojës sonë dhe i shfrytëzuam rastet e krijuara në maksimum. Megjithatë vazhdoj ta përsëris se kjo ndeshje ishte më me fat për ne. Tani na duhet të mendojmë për sfidën e radhës me Shkumbin, ku do të kemi një tjetër garë të fortë dhe po kaq të rëndësishme që vendos të ardhmen tonë”, ka pohuar Shkëmbi për gazetën. Për kapitenin, kampionati po bëhet edhe më i “nxehtë” dhe tensioni po rritet, por në fund të fundit ky është lezeti i një gare të fortë. Ajo që i intereson korçarit është një titull në qytetin e tij, mundësi që e sheh më shumë se kurrë të realizuar si asnjëherë më parë. “Tani na duhet të mendojmë për sfidën e radhës me Shkumbinin në shtëpi. Tashmë çdo kush e di se ndeshjet në stadiumin e Korçës bëhen të vështira, pavarësisht kush ekip vjen dhe luan përballë nesh. Ne do të bëjmë detyrën më së miri, por nga ana tjetër iu bëj thirrje tifozëve të jenë të shumtë në stadium. Mbështetja e tyre do të jetë vendimtare për ne. Ne kërkojmë në sfidën me peqinasit 3 pikë, të cilave duhet t’ia bëjmë yzmetin deri në fund për t’i pasur”, përfundon senatori i bardhekuqve.
Irena Vreto
Superliga – Java e 26-të
Rezultatet
Besa – Bylis 2-1
Dinamo – Tirana 0-0
Laçi – Elbasani 3-1
Shkumbini – Vllaznia 1-0
Kastrioti – Skënderbeu 0-2
Teuta – Flamurtari 1-1
Skuadra N P
1. FLAMURTARI 26 56
2. SKENDERBEU 26 55
3. VLLAZNIA 26 44
4. LAÇI 26 43
5. TIRANA 26 38
6. DINAMO 26 37
7. SHKUMBINI 26 32
8. KASTRIOTI 26 30
9. TEUTA 26 29
10. BYLIS 26 27
11. BESA 26 26
12. ELBASANI 26 12