Foshnjat shiten për 15 mijë euro

Në kufirin mes Greqisë dhe Bullgarisë po ”lulëzon“ tregtia me foshnje dhe qeliza ëmë. Aty një foshnje mund të blihet për 15 mijë euro dhe kjo është e mundshme, për shkak se tregtarët kanë njerëzit e tyre në aparatin shtetëror.
Elektra Kountra dëshiron të ndihmojë femrat, të cilat luftojnë për fëmijët e tyre. Kjo avokate e re është e bindur se bandat kriminale po shfrytëzojnë dhe po shantazhojnë femrat, të cilat gjenden në telashe me qëllim që t’ua u marrin foshnjat dhe fëmijët, në mënyrë që t’ua u shesin çiftëve pa fëmijë.
Kountra para gjykatës po lufton për një rumune. Ajo ankohet se autoritetet greke nuk po bëjnë asgjë sa i përket luftës kundër tregtisë me foshnje. Klientja e saj po kërkon që t’i kthehet foshnja, por ajo në vazhdimësi po përballet me injorim, e madje edhe me refuzim.
Ajo deklaratën për mashtrim dhe shantazhim e ka paraqitur qysh në korrik të vitit 2009, ndërsa policia edhe sot e asaj dite thekson se rasti është ende duke u hetuar.
”Kam kërkuar qasje në dokumentet e institucioneve kompetente dhe spitalit, por madje as Ombudspersoni i Greqisë nuk po mund të sigurojë qasje në këto dokumente. Thënë shkurt, jemi të detyruar të luftojmë edhe për hapin më të vogël“, thotë Kountra.
Sipas medieve greke, çmimi për një foshnje nga Bullgaria apo Rumania sillet prej 15 deri në 25 mijë euro. Nënat nga këto para marrin më së shumti 3 mijë euro, nëse „puna kryhet“. Nëse nëna pendohet apo kundërshton, ajo kërcënohet me dhunë.
Tregtarët e qenieve njerëzore mund të vazhdojnë pa problem aktivitetet e tyre kriminale, ngase kanë ndihmës të korruptuar në institucionet shtetërore, thotë Kountra.
Edhe Aleksandër Zavos, shefi i Institucionit të Athinës për Politikë të Emigracionit, është i mendimit se kriminelët kanë ndihmësit e tyre në institucionet shtetërore. Ai thotë se shtetas të huaj i kanë rrëfyer për raste të tilla.
Zavos thotë se në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë tashmë janë arrestuar shumë njerëz, që kanë ndihmuar kontrabanduesit. Dyshohet se në rrjetin e ndihmësve janë të përfshirë edhe banorët e ishujve të afërt, të cilët po njoftojnë kriminelët për aksionet e policisë.
Organi gjyqësor i Evropës, Eurojust, ka nisur tashmë luftën kundër tregtisë greko-bullgare me qenie njerëzore. Ky institucion tashmë ka shënuar sukseset e para, thotë Kountra.
Megjithatë, kontrabanduesit po bëhen gjithnjë e më perfid, kështu që në kufirin verior grek ka filluar të lulëzojë tregtia me qeliza vezore. ”Për shkak të situatës financiare, shuma femra pranojnë të shesin qelizat e tyre vezore. Njoh femra të tilla nga Bullgaria, Rumania dhe Letonia“, thekson Kountra.
Këto femra qëndrojnë disa javë në Greqi, ku ju jepen hormone, për prodhimin e sa më shumë qelizave vezore. ”Shumë prej këtyre femrave janë viktima të tregtisë me njerëz dhe të prostitucionit të dhunshëm. Ato nuk i nënshtrohen kontrollit mjekësor dhe nuk ju shpjegohen komplikimet e mundshme“, thekson Kountra.
Aleksandros Zavos tërë problematikën e tregtisë me qenie njerëzore në Ballkan e vlerëson me kthjelltësi.
„Tregtia me njerëz do të mbetet pjesë e përditshmërisë, përderisa bandat kriminale fitojnë sasi të mëdha të parave. Masat policore këtu nuk janë të mjaftueshme“, nënvizoi Zavos.