E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita Botërore e Librit në Tiranë “flet” italisht

Autori i Lajmit: Redaksia

Në Ditën Botërore të Librit do të mund të njohim letërsinë italiane dhe shqiptare në një panair që do të çelet nga data 22 deri në 25 prill, në sheshin para Galerisë së Arteve në Tiranë. Si shumë aktivitete që janë zhvilluar gjatë këtyre dy muajve edhe Dita Botërore e Librit do të festohet italisht. Në këtë panair marrin pjesë botues italianë dhe shqiptarë. Ky panair do të mbahet me rastin e Ditës Botërore të Librit më 23 prill. Kjo ditë është caktuar nga UNESCO si dita e librit dhe leximit, e cila festohet në më shumë se 100 vende të botës. Origjina e kësaj dite vjen nga Katalonja, në Spanjë, ku për nder të ditës së Shën Gjergjit të gjithë i dhurojnë njerëzve të tyre më të dashur trëndafila dhe libra – një traditë që ka filluar 80 vite më parë. Ambasada e Italisë në Tiranë dhe Universitetet e Tiranës dhe Elbasanit bashkëpunojnë për disa takime me autorë. Më 20-22 prill autorët Arben Dedja dhe Amik Kasoruho takohen me nxënës dhe studentë të Elbasanit, Korçës, Shkodrës dhe Tiranës. Më 22 prill në Bibliotekën e Galerisë Kombëtare të Arteve, ora 17.30 inaugurohet një sallon i librit italian dhe shqiptar. Do të jenë të pranishëm edhe kryetarët e bashkive të Tiranës dhe Torinos, Edi Rama dhe Sergio Chiamparino. Panairi organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë që drejtohet nga Petrit Ymeri i cili ka marrë pjesë në hartimin e "programit" për Ditët e Librit. "Letërsia dhe integrimi" quhet konferenca që mbahet më 23 prill në Fakultetin e Historisë e Filologjisë në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Italishtes. Në këtë takim do të trajtohet tema "Letërsia italiane në Shqipëri". Marrin pjesë Carmine Abate, shkrimtar kalabrez, Silvana De Mari, Sokol Jakova, Valbona Jakova, Raffaele Nigro, Alessandro Sanna ilustrator. Po këtë ditë në Bibliotekën e GKA-së, mbahet një diskutim me temë "Letërsia e migrimit italofon, 1990-2010". Marrin pjesë Diana Çuli, Mia Lecomte, poete dhe studiuese e letërsisë së migrimit, Livio Muci, drejtor i Shtëpisë Botuese "Besa" i cili do të flasë për fenomenin e letërsisë migrante në nivelin historik-kulturor e editorial, dhe autorë shqiptarët Arben Dedja e Amik Kasoruho. Më 24 prill do të ketë takime me autorët e përmendur me lart. Bëhet dhe prezantimi i librit "La cucina italiana" nën kujdesin e ICE-Ufficio të Tiranës.
Takimet më autorët italianë dhe shqiptarë që vijnë nga Italia vazhdojnë deri më 25 prill në Bibliotekën e GKA. I vetmi aktivitet mirëfilli shqiptar, mbetet çmimi i Bibliofilisë "Lumo Skëndo" që jepet nga MTKRS prej vitit 2006. Juria që kryesohet nga Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, jep më 23 çmimin që vlerëson cilësitë më të mira të botimit të një vepre. Çmimi ka vlerën financiare prej 500 mijë lekësh.
Dita Botërore e Librit
Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj. Më 23 prill të vitit 1616 u nda nga kjo botë Servantesi, Shekspiri dhe Garcilaso de la Vega, i mbiquajtur Inca. 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për ti bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›