E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet drafti për privatizimin e tokës shtetërore

Autori i Lajmit: Lili Saraci

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar dje një projektligj që detyron të gjithë personat që kanë ndërtuar mbi tokë shtetërore dhe që kanë regjistruar pronësinë e ndërtesës, por jo të tokës, që ta privatizojnë atë me kushte lehtësuese. Në të kundërt, do të paguajnë një taksë prej 10 për qind të vlerës së tokës në vit. Është ky thelbi i projektligjit të miratuar nga Ministria e Financave që është miratuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Sipas draftit, personat që aplikojnë për privatizim brenda 6 muajsh mund të paguajnë deri në 20% të vlerës me bono thesari. Vlera e tokës do të përcaktohet mbi çmimet e referencës të vendosura nga qeveria. Pra, kush përdor tokën shtetërore, duhet ta blejë atë ose duhet të paguajë taksën vjetore prej 10 për qind të vlerës së truallit. Në të kundërt, do të zbatohen sanksione. Ky është parashikimi që bën projektligji i miratuar nga qeveria “Për taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror”, i cili u miratua ditën e djeshme në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Drafti i propozuar nga Ministria e Financave rregullon mënyrën e përfitimit të të ardhurave që do të mblidhen nga taksa e përdorimit të truallit shtetëror, i cili do të zbatohet ndaj individëve që kanë përfituar nga procesi i privatizimit të ndërtimeve mbi truallin shtetëror. Vjeljen e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror e bëjnë drejtoritë rajonale të tatimeve.
Drafti
Subjektet që i nënshtrohen taksimit për truallin shtetëror, janë të gjithë individët që kanë në përdorim trojet e paprivatizuara, por dhe personat juridikë tregtarë dhe ndërmarrjet shtetërore sipas parashikimit të ligjit të veçantë si dhe personat juridikë tregtarë që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji me një akt juridik të vlefshëm përfitojnë të drejtën e përdorimit të trojeve shtetërore. Në bazë të nenit 4 të projektligjit, përcaktohet se taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror është taksë vjetore dhe është në masën 10 për qind të vlerës së truallit në përdorim. Për llogaritjen e vlerës së truallit në vite të ndryshme do të shërbejë harta e vlerës së trojeve, e miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave, në përputhje me ligjin që rregullon kthimin dhe kompensimin e pronës. Drafti parashikon se detyrimi për tu paguar del nga shumëzimi i nivelit të taksës me vlerën e truallit. Parashikohet gjithashtu se çdo subjekt që i nënshtrohet kësaj takse, brenda 15 shkurtit të vitit pasardhës, duhet të dorëzojë në drejtoritë rajonale, ku është regjistruar territori përkatës, formularin e deklarimit të taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror. Por projektligji parashikon gjithashtu që individët që preken nga fusha e zbatimit të këtij projektligji kanë dhe të drejtën e privatizimit të truallit. Pra, ose mund ta blejnë truallin, ose mund të paguajnë qiranë vjetore. Madje, Ministria e Drejtësisë ka parashikuar një tjetër lehtësi, duke u dhënë të drejtën këtyre subjekteve, të cilat duan të blejnë truallin, që të mund ta paguajnë atë me këste. Në këtë rast bëhet një kërkesë me shkrim pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike pranë Ministrisë së Financave. Në çdo rast marrëveshja me këste nuk mund të zgjasë më shumë se 12 muaj. Gjithashtu, drafti parashikon se ekzekutimi i kësaj marrëveshjeje nuk pezullon pagesën e plotë të taksës vjetore. Për sa i përket qirasë së papaguar ajo mund të falet në rastet kur subjektet brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit depozitojnë kërkesën për privatizimin dhe pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit dhe nënshkruajnë marrëveshje për pagesën me këste. Neni 17 i draftit parashikon se mosdorëzimi në kohë i formularit për deklarimin e taksës ose mospagesa e saj përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë në përputhje me ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Subjektet mbi të cilat zbatohet ligji
Neni 2
1. a) trojet e paprivatizuara të ndërtesave të privatizuara nga shtetasi me ligjin nr. 7512, datë 10.8.1991, “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit (të shfuqizuar) sipas gentplaneve në momentin e privatizimit të ndërtesave
b) trojet e paprivatizuara të ndërtesave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore, përpara hyrjes në fuqi të po këtij ligji
c) trojet e paprivatizuara, mbi të cilat janë ndërtuar ndërtesa, mbi bazën e lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga komitetet pluraliste të këshillave në periudhën e funksionimit të tyre, sipas gentplaneve në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit
ç) trojet në përdorim të personave juridikë tregtarë në përputhje me parashikimet e vendosura nga ligji i veçantë
2. Ligji nuk e shtrin veprimtarinë e vet mbi trojet turistike, mbi subjekte dhe trojet e pranuara në proces legalizimi apo mbi trojet shtetërore, të dhëna me qëllim investimin mbi to, të cilat rregullohen nga ligje të tjera.
Ky lajm është publikuar: 21/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›