Dita Botërore e Shëndetit të Gojës, Koçiu: Në vitin 2024, 12 mijë qytetarë morën shërbim falas

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, në një postim në rrjetet sociale, theksoi rëndësinë e shëndetit të gojës në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit të Gojës.
Sipas saj, në Klinikën Stomatologjike Universitare KSU, përgjatë periudhës janar-dhjetor 2024, kanë marrë shërbim falas rreth 12 mijë qytetarë, ndërsa vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë trajtuar rreth 3 mijë pacientë me shërbime dentare të specializuara.
“Falë mbështetjes së qeverisë dhe investimeve të vazhdueshme, vijojmë të zgjerojmë aksesin në kujdesin dentar, veçanërisht për të moshuarit dhe kategoritë më në nevojë. Sepse një gojë e shëndetshme është një jetë më e shëndetshme!”, u shpreh Koçiu.
Në videon e publikuar nga ministrja Koçiu janë dhe dëshmitë e disa pacientëve që shprehen mjaft të kënaqur nga shërbimi i marrë. “Shërbimi është shumë i mirë, njëlloj si tek privati, në mos të them edhe më mirë se privati. Nuk e them vetëm për vete, por dhe për shokët që kanë ardhur. Jemi shumë të kënaqur me shërbimin dhe është falas”, u shpreh ai.
“Jam i kënaqur me shërbimet dhe është falas”, tha një pacient tjetër.
20 Marsi, Dita Botërore e Shëndetit të Gojës, e vendosur nga Federata Dentare Botërore (FDI), synon të rrisë ndërgjegjësimin, si dhe të tregojë rëndësinë e madhe që ka shëndeti oral në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien.
Dita Botërore e Shëndetit të Gojës është një fushatë globale për shëndetin oral për të promovuar shëndet të mirë oral për të gjithë dhe për të fuqizuar individët, që të mbajnë një gojë të shëndetshme në të gjitha moshat.
1 nga 3/a.f//r.e/