Dita Ndërkombëtare e Migrantëve, Balla: Mirënjohje sakrificave të shqiptarëve në kërkim të një jete më të mirë

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla përmes një postimi në rrjetet sociale shprehu mirënjohjen për të gjithë ata shqiptarët që 33 vjet më parë kërkuan një jetë më të mirë, që duke rrezikuar jetën e tyre u kthyen në simbolin e lirisë.
“Dita e sotme në mbarë globin i kushtohet sakrificave të pafundme dhe të papërshkrueshme të migrantëve. Migracioni mbetet një sfidë e madhe globale dhe një realitet dinamik, i cili ndikon cilësinë e jetës dhe kërkon respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. 33 vite më parë shqiptarët u nisën me anije apo përmes shtigjeve malore drejt vendeve fqinje Italisë dhe Greqisë si migrantë në kërkim të një jete dhe mundësive të reja”, u shpreh ministri Balla.
Pas kontributit të madh ekonomik me remitancat që dërgojnë në vendlindje prej dekadash, tashmë diaspora shqiptare për herë të parë do të luajë një rol tjetër të rëndësishëm, duke shprehur vullnetin politik me votën që zgjedh udhëheqjen e vendit të tyre.
Dita Ndërkombëtare e Migrantëve më 18 dhjetor shërben për të kujtuar diversitetin dhe rëndësinë e ruajtjes së të drejtave dhe dinjitetin e emigrantëve dhe refugjatëve në mbarë botën, pavarësisht sfondit dhe arsyeve që i shndërrojnë ata në migrantë. /j.p/