Dita Ndërkombëtare e Sklerozës Multiple, sociologia: Në vendin tonë janë 925 raste, më e prekur mosha 20 deri 50 vjeç

Dita Ndërkombëtare e Sklerozës Multiple shënohet çdo 30 maj si një thirrje për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim në mbështetje të pacientëve me këtë sëmundje.
Skleroza multiple është një sëmundje kronike autoimune e karakterizuar nga inflamacioni në sistemin nervor qendror, duke rezultuar në degjenerim progresiv të neuroneve. Sëmundja ka një kurs progresiv dhe rezulton në paaftësi ose invaliditet të pakthyeshëm
Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, sociologia Marsida Simo theksoi se skleroza multiple është një sëmundje “e pabesë”, pasi simptomat mund të mungojnë për një kohë të gjatë dhe të shfaqen më vonë me intensitet të lartë. Ajo paralajmëroi për nevojën urgjente të trajtimit në kohë dhe mbështetjes gjithëpërfshirëse për pacientët dhe familjet e tyre.
Nga të dhënat zyrtare nga Fondi i Barnave të Rimbursueshme, në Shqipëri janë 925 persona të diagnostikuar me sklerozë multiple, por sipas sociologes Simo, mendohet se numri real është më i lartë, për shkak të rasteve ende të padiagnostikuara. Sëmundja prek kryesisht persona të moshës 20–50 vjeç, ku përqindja më e lartë është te gratë.
“Këtë sëmundje autoimune, kronike, pacienti e mbart me vete gjatë gjithë jetës. Është edhe një sëmundje e pabesë sepse në një periudhë kohe nuk ka simptomat të theksuara, por në të ardhmen këto simptoma agravohen duke i lënë pacientët deri në invaliditet të plotë. Në vendin tonë me sklerozë multiple janë 925 persona sipas të dhënave zyrtare nga Fondi i Barnave të Rimbursueshme, por mendojmë se ka pacientë të tjerë që ende nuk e kanë marrë diagnozën por kanë simptoma.
Mosha e të prekurve nga skleroza multiple prevalon nga 20-50 vjeç, një moshë shumë e re që janë në moshë pune. Në 2020 janë regjistruar 11 fëmijë me sklerozën multiple që tregon se kjo sëmundje mund të zhvillohet për shkak edhe të jetesës, ku përfshihen jo vetëm faktorët gjenetikë, por edhe ato mjedisore, ushqyerja, ndotja etj. Duhet të jemi me ritme më të shpejta për sa i përket trajtimin. Kemi 16 lloje medikamentesh për trajtimin, por ky numër duhet rritur pasi pacientët kanë nevojë për trajtime specifike”, tha Simo.
Sociologia shprehu shqetësimin se 83% e pacientëve nuk marrin asnjë lloj trajtimi, ndërsa bëri thirrje që shteti duhet të ofrojë më shumë mbështetje për këto pacientë.
Simptomat e sklerozës multiple përfshijnë mpirje të gjymtyrëve, dridhje, humbje ekuilibri, dobësi të muskujve, shikim të dyfishtë etj.
“Studimi nxori në pah se 83 % nuk marrin fare asnjë lloj trajtimi me medikamente apo me fizioterapi e mbështetje psikosociale. Pjesa më e madhe e pacientëve janë gra, 63 %, dhe 37 % janë burra. Jo vetëm cilësia e jetës por edhe jetëgjatësia e pacientëve ulet nëse nuk marrin trajtimin e duhur në kohën e duhur.
Janë disa shenja që kuptohen si mpirje duarsh, dridhje, humbje të ekuilibrit, shenjat janë shumë të ndryshme pasi është një sëmundje e pabesë dhe shumë komplekse. Duhet një buxhet specifik për këta persona jo vetëm për medikamente por edhe trajtim psikosociale dhe familjarët rreth tyre, pasi rëndohen psikologjikisht. Çdo investim që shteti bën ndaj këtyre pacientëve nuk është shpenzim por investim, pasi duke u garantuar cilësinë e jetës nuk lejon që këto pacientë të kthehen në invalidë të plotë, të cilët kanë nevojë për kujdesin e të tjerëve”, tha ajo.
/rtsh.al/