“Mësues për Shqipërinë” 2025, Manastirliu: Aplikimet, nga 2 deri më 16 qershor në e-Albania

Hapen aplikimet për “Mësues për Shqipërinë” 2025. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e sistemit arsimor, aplikimet hapen nga data 2 deri më 16 qershor.
Të gjithë kandidatët për mësues, përfshirë dhe parashkollorin (kandidatët që kanë qenë pjesëmarrës në portalet e mëparshme dhe kandidatët e rinj), kanë detyrim të ngarkojnë online dosjen për konkurrim, në të kundërt, përjashtohen nga konkurrimi dhe hiqen nga lista e portalit.
Kandidati aplikon në DRAP-in ku ka vendbanimin e përhershëm. Ai ka të drejtë të përzgjedhë deri në 3 ZVAP ku dëshiron të punësohet. Kandidati që dëshiron të punojë si mësues në dispozicion ose si mësues ndihmës, krahas aplikimit për profilin përkatës, në aplikimin e tij duhet të zgjedhë edhe opsionin “Mësues në dispozicion” ose “Arsim special”.
Kandidati, i cili ka dhënë provimin e licencës për profilin që aplikon dhe ka rezultuar i suksesshëm, si dhe testimin për portalin “Mësues për Shqipërinë”, përzgjedh nëse do të ruajë pikët e testimit apo kërkon të ritestohet për këtë portal.
Kandidati, i cili nuk ka detyrim licencimin sipas përcaktimeve ligjore dhe kandidati i arsimit parashkollor, do të zgjedhë opsionin “Dëshiroj të vazhdoj pa licencë”, për të vijuar më tej aplikimin.
/rtsh.al/