E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve, Kuvendi: Lumturia, e drejtë themelore. Detyra jonë, t’i mbështesim

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve, një përkujtim i të drejtave, mirëqenies dhe lumturisë së fëmijëve në mbarë botën. Në kuadër të kësaj dite, Kuvendi i Shqipërisë ka theksuar rëndësinë e mbështetjes, mbrojtjes dhe promovimit të lumturisë së fëmijëve çdo ditë.

“Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, vetë ata na kujtojnë më bukur se kushdo se lumturia është një e drejtë themelore. Detyra jonë është ta mbështesim, ta mbrojmë dhe ta nxisim çdo ditë”, thuhet në mesazhin e Kuvendit në rrjetin social Facebook.

Dita Botërore e Fëmijëve është dita globale e veprimit të UNICEF-it për fëmijët dhe nga fëmijët, e cila shënohet çdo vit më 20 nëntor me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe përshpejtimit të progresit drejt realizimit të të drejtave të fëmijëve.

Kjo ditë ka rrënjët e saj që në vitin 1954, kur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u miratua një rezolutë e përbashkët nga India dhe Uruguai, e cila inkurajonte të gjitha vendet të krijonin një Ditë Universale të Fëmijëve për të promovuar shkëmbimin, mirëkuptimin dhe idealet e OKB-së.

Më 20 nëntor 1959, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve, ndërsa në të njëjtën datë të vitit 1989 u miratua Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, një dokument ligjërisht i detyrueshëm që garanton mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve në mbarë botën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›