Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë

Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë, përkujtuar çdo vit më 17 tetor, synon të promovojë mirëkuptimin dhe dialogun midis njerëzve që jetojnë në varfëri dhe shoqërisë në tërësi, duke e parë varfërinë si shkelje e të drejtave të njeriut, shkruan ATSH.
Tema e këtij viti është “Puna e denjë dhe mbrojtja sociale: Vënia në praktikë e dinjitetit për të gjithë”.
Kjo temë bazohet në dëshmitë se si personat e mbërthyer nga varfëria ekstreme shpesh punojnë me orë të gjata, rraskapitëse, në kushte të rrezikshme e gjithsesi nuk mund të fitojnë të ardhura të mjaftueshme për veten dhe familjet e tyre.
Tema e këtij viti bën thirrje për akses universal në punën e denjë dhe mbrojtje sociale si një mjet për të mbështetur dinjitetin njerëzor për të gjithë. Ajo thekson se puna e denjë duhet t’i fuqizojë njerëzit, të sigurojë paga të drejta dhe kushte të sigurta pune dhe të njohë në thelb vlerën e qenësishme dhe humanizmin e të gjithë punëtorëve.
Tema është gjithashtu një thirrje për liderët politikë dhe politikëbërësit që të përdorin dinjitetin njerëzor si busull udhëzuese në të gjitha proceset e vendimmarrjes, për të siguruar avancimin e të drejtave themelore të njeriut dhe drejtësisë sociale mbi ndjekjen e fitimeve të korporatave.
Kremtimi i këtij viti është një shans për t’u solidarizuar me njerëzit që jetojnë në varfëri, për të dëgjuar me të vërtetë betejat e tyre të përditshme dhe për të rinovuar angazhimet për të krijuar një ekonomi të drejtë të fokusuar në mbrojtjen e mirëqenies njerëzore dhe mjedisore mbi maksimizimin e përfitimeve financiare. Qëllimi përfundimtar është eliminimi i varfërisë në tërësi duke krijuar kushtet që të gjithë të jetojnë me dinjitet.
Në vitin 2022, mbi 95.3 milionë njerëz në BE (22% e popullsisë) ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social, që do të thotë se përjetonin të paktën një nga tre rreziqet e varfërisë dhe përjashtimit social: varfëri, privim i rëndë material dhe social, ose jetesa në një familje me të ardhura shumë të ulëta nga puna, njoftoi Eurostat.
/ rtsh.al /