Shkencëtarët e rinj shqiptarë së shpejti do të studiojnë në Singapor

Së shpejti shkencëtarët e rinj shqiptarë do të munden të ndjekin studimet në nivele të larta pranë Universitetit Kombëtar të Singaporit, në Institutin për Materialet e Inteligjencës Funksionale.
Kjo u bë e ditur gjatë takimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me fituesin e çmimit Nobel për Fizikë në vitin 2010, Kostya Novoselov, që punon pranë Institutit për Materialet e Inteligjencës Funksionale. Ata diskutuan mundësinë për krjimin e bursave për doktoratura për shkencëtarët e rinj shqiptarë pranë Institutit.
“Jam i lumtur që Tirana është kthyer në një “hub” edhe për nanoteknologjinë dhe aktivitete ku diskutohet për shkencën. Faleminderit që keni ardhur nga Singapori në Tiranë dhe shpresoj shumë që, ajo bisedë që filluam për të pasur 4-5 bursa për doktoraturë për shkencëtarët e rinj shqiptarë pranë Institutit në Singapor, të realizohet sa më shpejt, dhe të kemi edhe ne disa shkencëtarë të kalibrit të lartë, por që nuk ju mungon as një mentor i mirë, siç jeni ju, as institute i duhur ku mund të kryejnë eksperimentet e tyre”, tha zoti Veliaj.
Fituesi i çmimit Nobel për Fizikë në vitin 2010, Kostya Novoselov shprehu dëshirën të ftonte shkencëtarët rinj shqiptarë të shikoni laboratorin e Institutin për Materialin e Inteligjencës Funksionale. “Shpresoj që të vendosim bashkëpunimin tonë me të rinjtë shqiptarë për nanoteknologjinë. Jam shumë i lumtur t’i japim mundësinë studentëve më të talentuar shqiptarë për t’i mirëpritur në laboratorin tim dhe shpresoj që ata do të kthehen sërish këtu dhe t’i sjellin dijet e tyre në Shqipëri” tha Novoselov.
Konstantin Sergeevich Novoselov FRS FInstP FRSC është një fizikan ruso-britanik dhe profesor në Qendrën për Materialet e Avancuara 2D, Universiteti Kombëtar i Singaporit. Ai është gjithashtu profesor Langworthy në Shkollën e Fizikës dhe Astronomisë në Universitetin e Mançesterit.
Universiteti Kombëtar i Singaporit, është universiteti publik më i vjetër dhe më i madh në Singapor, si për nga numri i studentëve ashtu edhe nga numri i programeve të studimit të ofruara nga universiteti. Ai renditet vazhdimisht ndër universitetet më të mira në botë.
Çdo vit, Universiteti Kombëtar i Singaporit mirëpret deri në 26 mijë studentë nga e gjithë bota. Përfaqësues të kombësive, kulturave dhe feve të ndryshme studiojnë për një arsim me cilësi të lartë që plotëson standardet ndërkombëtare dhe një diplomë të cituar në të gjithë botën, e cila hap mundësinë për të diplomuarit e universiteteve të gjejnë me sukses punësim në ndërmarrjet e çdo shteti.
Gazetare Albana Agolli
/ rtsh.al /