Vjelja e rrushit në Leskovik / Vreshtaria, tradita shekullore e zonës

Leskoviku njihet për kultivimin e rrushit, i cili vjen në një cilësi të lartë për shkak të elementëve të tokës por edhe klimës së favorshme në këtë zonë. Këto ditë ka nisur edhe vjelja e këtij fruti në një prej fermave më të mëdha me sipërfaqe rreth 15 hektarë. Varietetet bazë të cilat kultivohen në këtë zonë janë mbi 15 ndërsa nuk mungojnë ato autoktone siç është mavrudi, debina e bardhë dhe ajo e zezë, që zënë edhe pjesën më të madhe të sipërfaqes. Mënyra e ndërtimit të këtij vreshti por edhe teknologjia bashkëkohore e përdorur ka tërhequr vëmendjen edhe të profesorëve të universitetit bujqësor të Korçës e Tiranës të cilët ndoqën nga afër proceset e punës, duke vlerësuar kujdesin që i është ofruar këtij vreshti edhe në kushtet atmosferike mjaft të vështira të këtij viti për prodhimin bujqësor.
“Rendimentet janë mesatare dhe nuk synohet për të marrë rendimente të larta por synohet në cilësinë e prodhimit sepse prodhimi këtu është me cikël të mbyllur. Kultivohet, përpunohet, magazinohet deri në prodhimin e verës”, thotë Prof. Robert Damo, Universiteti Fan Noli, Korçë.
Kjo fermë është një nga shembujt se si mund të bëhet biznes i suksesshëm në një zonë të largët siç është Leskoviku.
“Nëse do kishte të tjerë që punojnë si ky, këtu do pushonte së mbaruari emigracioni, njerëzit do të punonin këtu. Vërtet ka sfiduar politikën. I ka thënë politikës se shqiptarët mund të jetojnë në këtë vend të begat dhe për ti pasur zili kushdo që njeh pak a shumë nga qytetaria e sotme”, thotë Prof. Dr. Rexhep Uka, Pedagog Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Leskoviku ka një sipërfaqe prej 120 Ha të kultivuar me vreshta. Kjo kulturë është më e rëndësishmja në këtë zonë për shkak të traditës shekullore por edhe sepse sjell të ardhurat më të mëdha për banorët e bizneset.
Gazetare M. Mëhilli
/RTSH/