Dita Olimpike në Lezhë

Dita Ndërkombëtare Olimpike më 23 Qershor ka shënuar 75-vjetorin e saj. E në këtë rast, Lezha është kthyer përsëri në qendër të aktiviteteve olimpike, teksa Qendra Kulturore e Fëmijëve “Gjergj Lacaj” solli disa aktivitete sportive të gërshetuara këto me veprimtari kulturore dhe edukative. Nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës, Ueda Molla, Drejtoresha e Akademisë Olimpike, Enkelejda Çaushi dhe Drejtori i Drejtorisë Arsimore për Lezhën, Hasan Muça, bën thirrje për më shumë masivitet në sport.
“Lezha ka bërë një hap të madh tek shumësportet sepse ne çdo ditë po nxjerrim kampion dhe dua të theksoj se Bashkia Lezhë do të jetë në mbështetje të talenteve dhe kampionëve të rinj”, thotë Ueda Molla
“Motivi i këtij viti ishte lets move. pra le të lëvizim dhe le ta festojmë këtë ditë duke lëvizur. Dhe nga të gjitha aktivitetet sot besoj se ia kemi arritur qëllimit”, shpjegon Enkelejda Çaushi
“Ishte një veprimtari e mirëorganizuar, e mirëmenduar. Një veprimtari që kishte të gjitha ngjyrat. Por ajo që kishte më tepër rëndësi ishte se kjo veprimtari përcolli mesazhe dashurie e paqe për të cilën kemi nevojë”, nënvizon Hasan Muça.
Është viti i katërt radhazi që Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar përzgjedh Lezhën për Ditën Ndërkombëtare Olimpike.