Dita botërore e refugjatëve, OKB reagon për vuajtjet e tyre

Sot është Dita Botërore e Refugjatëve, që synon të tërheq vërejtjen për vuajtjet e dhjetëra milionë refugjatëve në mbarë botën.
Në mesazhin e saj, aktorja e njohur e Hollivudit dhe Ambasadore e vullnetit të mirë e Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, Anxhelina Xholi, ndër të tjera u shpreh:
“Çdo minutë tetë njerëz në botë janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës dhe persekutimit. Askush nuk bëhet me dëshirë refugjat. Sot 43 milionë njerëz në mbarë botën janë të zhvendosur. Ne i kujtojmë ata”, tha Anxhelina Xholi.
Në raportin e fundit të UNHCR-së thuhet se nga konfliktet në botë janë prodhuar 800 mijë refugjatë në vitin 2011.
Numri i shtuar i refugjatëve në vitin 2011 u referohet kryesisht konflikteve në Libi, Sudan dhe Somali.
Afganistani mbetet burmi më i madh i refugjatëve, pasi llogariten se ekzistojnë 2.7 milionë refugjatë afganë.