E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e 19-të e grevës, pritet marrëveshja

BULQIZË- Greva e minatorëve të Bulqizës ka hyrë sot në ditën e 19-të të saj, ndërsa palët ende nuk kanë arritur asnjë marrëveshje.

Kreu i Konfederatës së Minatorëve, Kol Nikolli bashkë me përfaqësues të minatorëve gjenden sot në Tiranë, ku pritet që të nënshkruajnë marrëveshjen në ambjentet e ministrisë së Punës.

Një ditë më para minatorët bënë me dije se sot do të presin nga ora 9:00 deri në orën 12:00 përfaqësuesit e ACR-së, që edhe në prani të ministrit të Punës, Spiro Ksera të nëshkruajnë marrëveshjen dhe ti japin fund grevës së urisë.

Në një prononcim për media, Nikolli tha se sot nuk ka asnjë mundësi që të mos nënshkruhet marrëveshja, pasi në media administratori i ACR-së, Giga është shprehur se ka rënë dakord për plotësimin e të gjitha kërkesave.

Ministria e Punës do të jetë si garant ligjor në rast të nëshkrimit të marrëveshjes.

Prej ditësh përfaqësuesit e minatorëve dhe ato të firmës konçesionare ACR, kanë rënë dakord për kushtet e vënë, ndërsa problemi i vetëm ka qenë vendi se ku do të takohen.

ACR ka propozuar që takimet të bëheshin në Tiranë dhe Peshkopi, propozime të refuzuara nga sindikata dhe minatorët. Ata kanë kërkuar që bisedimet të bëhen vetëm në Bulqizë.

Në dy ditët e fundit, familjarë dhe mbështetës të minatorëve kanë protestuar, duke bllokuar edhe rrugën kombëtare që lidh Bulqizën me Tiranën.

Minatoret kërkojne rritje page në masën 20%- 40%, përmirësim të kushteve të punës, uljen e moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›