Dita e 7-të e grevës, Rama fluturon drejt Parisit
PS nuk jep axhendë për largimin e kryesocialistit Rama, edhe pse fillimisht përhapi fjalë sikur po shkonte në Bruksel
Në ditën e 7-të të grevës së urisë, kryetari i PS-së, Edi Rama, është larguar jashtë vendit, pa komunikuar zyrtarisht axhendën e tij. Por siç u mësua nga PS dhe nga të dhënat në aeroportin e Rinasit, Rama udhëtoi dje drejt Francës në linjën Tiranë - Mynih - Paris. Asnjë njoftim zyrtar nga selia rozë për këtë udhëtim të papritur që, sipas të gjitha gjasave, duket se është privat. Ishte TV Klan që zbuloi itinerarin e kryesocialistit, ndërkohë që nga selia rozë u tha në rrugë jozyrtare se kreu i partisë ishte nisur për Bruksel për të siguruar takime me zyrtarë të institucioneve të Bashkimit Evropian me seli në Belgjikë. Por, me avionin e marrë për në Paris, qyteti ku Rama ka kaluar një pjesë të jetës së tij para se të merrej me politikë, Rama ka shmangur kryeqytetin evropian. Ndërkohë, mitingu i djeshëm i pasdites ka vërtetuar mungesën e Ramës, pasi në tribunë janë ngjitur vetëm aleatët dhe disa deputetë socialistë.
Greva, ndërkaq, ka hyrë në ditën e tetë sot, ndërsa dje, dy grevistë janë shoqëruar në spital pas problemeve shëndetësore. Mjeku i grevës, ish-deputeti Sabit Brokaj, u ka bërë thirrje grevistëve me diabet që të lënë grevën, pasi rrezikojnë shëndetin. Siç mësohet, edhe një nga deputetët socialistë vuan nga diabeti dhe është pikërisht Blendi Klosi. Sabit Borkaj ka thënë se do të shtohet numri i grevistëve që do të shoqërohen në spital. Më problematiku është deputeti Blendi Klosi, i cili vuan nga diabeti dhe duhet ta kishte lënë grevën shumë ditë më parë. Sipas mjekut Brokaj, grevistët po shprehin shenja, si dhimbje muskujsh, marrje mendsh, luhatje tensioni etj.