"Hyra në grevë për transparencën e votës"

Grevisti 36 vjeçar: Do rikthehem në grevë nëse marr miratimin e mjekëve
TIRANË-36 vjeçari Alfred Davidi, nga qyteti i Fierit është personi i 12 që ndërpret grevën e urisë për shkak të komplikacioneve që iu shfaqën mbrëmjen e djeshme në çadrën e tij. Ai thotë se nëse mjekët konstatojnë përmirësim të gjendjes së tij, atëherë ai është i gatshëm të rikthehet për të vazhduar grevën e urisë, ndërsa shton se iniciativa e tij për të qenë pjesë e kësaj greve ka të bëjë me transparencën e zgjedhjeve të kaluara dhe situatën e rënduar ekonomike që po kalon vendi.
Z. Davidi, si ndjeheni pas komplikacioneve që iu shfaqën në çadrën e grevës së urisë ?
Gjendja po merr rugën drejt përmirësimit për shkak të serumeve. Duke u përmirësuar jam. Të presim edhe sugjerimet e mëtejshme të mjekëve. Dita faktikisht filloi keq. Në mëngjes jam ngritur i mbushur në djersë. Tensionin e kisha 6 me 8. Mora një serum brenda në çadër. Më pas tensioni relativisht u rregullua. Rreth orës 12 pata reaksione stomaku, pata vjellje. Tensioni tentoi të ulej, dokrorët duke parë gjendjen vendosën që unë të dilja patjetër. Unë vuaj edhe nga heptati B, duke marrë parasysh simptomat e hepatit B, duke marrë parasysh se çfarë mund të ndodhte pas nëse imuniteti i trupit do të binte doktorët sugjeruan që mund të aktivizohej virusi i hepatit B dhe kjo do të krijonte shumë komplikacione. Kështu që vendosëm të gjithë sëbashku që të largohesha nga greva dhe të shtrohesha në spital.
Cilat janë shqetësimet e tjera që u janë shfaqur gjatë këtyre ditëve?
Kur nuk kisha bërë ende serumin, kam pasur në mëngjes dhimbje të forta muskujsh. Përveçc këtyre simptomave të urisë, të mendosh që edhe muskujt e fytyrës nuk ishin dot në gjendje që t'i lëvizin të gjithë. Kam pasur këputje gjenerale të trupit, lodhje trupore, kam pasur gjithashtu dridhje të gjunjëve.
Duke qenë se ju vuani edhe nga kjo sëmundje, nëse përmirësoheni pas këtyre komplikacioneve do të riktheheni për të vazhduar grevën e urisë?
Do të pres mendimin e mjekëve. Do të marr mendimin e mjekëve sepse komplikacionet që mund të vijnë nga aktivizimi i virusit, mund të jenë të rënda. Mjekët janë duke kryer të gjitha analizat, do të marrim përgjigje dhe do të vendosim. Nëse ata më sugjerojnë që unë mund të kthehem unë do të kthehem. Nëse gjendja ime përmirësohet atëherë vendimi më mbetet mua, për kthimin në grevë apo jo.
Cila ishte arsyeja që iu shtyu për të hyrë në grevë urie?
Janë një sërë arsyesh, por kryesorja ishte transparenca e votës, kërkesa për transparencën e votës. Nuk mund të ketë demokraci në një moment që populli voton dhe dikush tjetër numëron. Nuk mund të ketë demokraci nëse populli voton dhe nuk e kontrollon dot votën e tij. Thjesht, vetëm për transparencë, jo vetëm për të arritur qëllimin final, pushtetin, por së pari për transparencë, duke i bashkëngjitur kësaj edhe krizën ekonomike, abuzimet me taksat, abuzimet me tarifat e ujit dhe të dritave që rëndojnë mbi ne ditë për ditë. Kjo është e pakta që ne mund të bënim duke hyrë në grevën e urisë.