E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Engel: Jo më përplasje, po dëmtohet integrimi

SHBA-të shprehin shqetësim për situatën e krijuar në Shqipëri. Bashkëkryetari i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, në një intervistë për "Zërin e Amerikës" i pyetur për situatën politike në Shqipëri u përgjigj: Shqiptarët duhet ta zgjidhin vetë situatën e krijuar politike. Ai shprehet qartë kur thotë: Nuk besoj se amerikanët duhet t'u tregojnë shqiptarëve se çfarë të bëjnë. Zgjedhjet, siç dihet, përfunduan me rezultat të ngushtë. Shqipëria ka një sistem demokratik. Procesi demokratik funksionoi. Njëra palë sot kundërshton dhe ndihet se rezultati nuk ishte i drejtë, pala tjetër thotë se ka siguruar mandatin për të qeverisur. Por këtë duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët, jo t'u thonë amerikanët si të veprojnë" - theksoi Engel. Sipas tij, do të ishte më mirë të mos kishte përplasje të tillë publike, pasi, pa dyshim, si një vend i ri anëtar i NATO-s dhe si një vend që kërkon të anëtarësohet në BE, do të ishte më mirë po të kishte stabilitet. Kongresmeni Engel duke marrë si shembull zgjedhjet në Amerikë ndaj Al Gorit dhe Presidentit Bush, të cilat u kontestuan, theksoi se në Shtetet e Bashkuara u vendos gjithçka përmes procesit kushtetues dhe kjo, sipas tij, duhet të ndodhë edhe në Shqipëri. "Kjo luftë publike nuk është e mirë për imazhin e Shqipërisë. Por përsëri unë nuk mund t'u them palëve çfarë të bëjnë. Ky nuk është roli im. Roli im është të siguroj sa më shumë ndihmë për Shqipërinë që të mundem, të bëj sa të mundem për të forcuar më tej marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, të siguroj fonde të qeverisë amerikane për Shqipërinë. Ky është roli im", - u shpreh kongresmeni Engel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›