Lirimi i hapësirave publike, bizneset në Tiranë largojnë vullnetarisht tendat e çadrat

Në disa prej zonave kryesore të kryeqytetit ka nisur aksioni për lirimin e ambienteve dhe trotuareve të zëna nga strukturat e paligjshme.
Një numër subjektesh i janë përgjigjur pozitivisht aksionit, duke i çmontuar vetë këto struktura. Ndërkohë të tjerët, siç është thënë më herët nga përfaqësuesit e institucioneve, do të përballen me masa ndëshkuese nëse nuk do të veprojnë në kohë.
Zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, si Pazari i Ri, zona pas Muzeut Kombëtar dhe kryqëzimi mes rrugës “Xhorxh Bush” dhe rrugës “Luigj Gurakuqi”, ishin ndër të parat që iu nënshtruan inspektimeve në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike.
Pas kontrolleve të kryera nga Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera përgjegjëse, në bazë të urdhrit të dhënë nga kryeministri, ka nisur vullnetarisht çmontimi i strukturave të cilat pengojnë kalimin e lirshëm të qytetarëve, si dhe që kanë zaptuar hapësirën publike.
Qëllimi i këtij operacioni është rikthimi hapësirave të përbashkëta, duke ndaluar çdo lloj uzurpimi nga subjektet private.
Kryeministri më herët paralajmëroi zbatimin e ligjit me vendosmëri për të gjitha ato subjekte të cilat nuk veprojnë në kohë.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/