E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Dëshmorëve të Atdheut

Sot shënohet 5 Maji, e njohur si Dita e Dëshmorëve të Kombit dhe Atdheut. Kjo datë shënohet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe trevat tjera në shenjë nderi për këto njerëz që sakrifikuan jetën e tyre për atdheun në luftërat duke nisur nga Lufta e Dytë Botërore, luftërat e UÇK-ve dhe UÇPMB-së.

Në Kosovë përkujtohen përmes manifestimeve të ndryshme të gjithë të rënët e betejave dhe luftërave të ndryshme, me theks të veçantë përkujtimet për dëshmorëve e lirisë të UÇK-së dhe martirët e kombit.

Në Maqedoni gjithashtu janë paraparë aktivitete të ndryshme në përkujtim të dëshmorëve të luftërave dhe betejave të ndryshme. Me theks të veçantë janë dëshmorët e lëvizjeve kombëtare të rënë para dhe pas luftës së dytë botërore si dhe dëshmorët e UÇK-së, që u flijuan në luftën e vitit 2001.

Në Maqedoni, edhe pse përkujtohen këto luftëtarë të rënë të lirisë, akoma nuk është zgjidhur statusi i tyre juridik, për përkujdesje institucionale për familjet e tyre dhe invalidët e luftës të UÇK-së të 2001.

Edhe në Luginën e Preshevës do të shënohet përkujtimi i të gjithë luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë, ku me theks të veçantë do të jenë dëshmorët e fundit të UÇPMB-së.

Kjo ditë është caktuar zyrtarisht Dita e Dëshmorëve ku u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur u vra nga antifashisti i njohur shqiptar, Qemal Stafa.

Sipas Ligjit të shtetit të Shqipërisë, ja kush konsiderohen Dëshmorë të Atdheut

Statusi i Dëshmorit të Atdheut u njihet: (SIPAS Ligji Nr. 8607, datë 27.04.2000)

a) personave të rënë në luftë për liri dhe pavarësi kombëtare para 28 Nëntorit 1912 dhe shtetasve shqiptarë që kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, para 7 prillit të vitit 1939;

b) shtetasve shqiptarë që kanë marrë pjesë me armë në dorë ose në formë të organizuar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (7 prill 1939 deri më 29 Nëntor 1944) dhe kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre; që kanë vdekur për shkak të plagëve të marra në luftë ose janë ekzekutuar, ose kanë vdekur nga torturat në burgje e kampe përqendrimi nazifashiste deri më 9 maj 1945;

c) shtetasve shqiptarë, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që kanë rënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë jashtë kufijve shtetërorë, deri më 9 maj 1945;

d) shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë në vitet 1998-1999;

dh) shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar në Spanjë (1936-1939) ose në vende të tjera, të inkuadruar në formacionet e koalicionit antifashist, deri më 9 maj 1945 ose kanë vdekur nga plagët e marra në këtë luftë;

e) shtetasve shqiptarë që kanë rënë ose bien në krye të detyrës për mbrojtjen e integritetit territorial, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore nga terrorizmi, ose në luftë kundër bandave të armatosura dhe kundër krimit ndaj jetës së individit;

ë) shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë.

Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Me një vendim të qeverisë Meksi, ende i papublikuar, iu hoqën përfitimet familjeve të dëshmorëve.

Ne vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit te Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.

Në Kosovë gjithashtu është miratuar një zgjidhje ligjore që përkujdesjet për familjet e dëshmorëve të UÇK-së./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›