Kremtohen Pashkët Ortodokse, presidenti Nishani uron besimtarët

Besimtarët Ortodoksë në të gjithë vendin kremtuan mesnatën e së shtunës dhe në orët e para të së dielës, Ringjalljen e Krishtit. Mijëra besimtarë kanë marrë pjesë në meshën e Pashkëve, që u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Me shprehjen “Merrni dritë nga drita që nuk perëndon kurrë”, Kryepeshkopi Janullatos iu drejtua besimtarëve ortodoksë në mesnatë, në momentin e ringjalljes së Jezusit të Nazaretit, tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, me shpresën se besimtarët do të mund të marrin dritë nga drita e pashueshme e Perëndisë.
Flaka që u ndez në atë moment simbolizon Ringjalljen e Krishtit pas sakrifikimit të tij në kryq. Pashkët simbolizojnë edhe thelbin e krishtërimit, Ringjalljen e Krishtit, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.
Besimtarët Ortodoksë në të gjitha kishat e vendit kanë ndezur qirinj dhe kanë uruar njëri-tjetrin për paqe, begati dhe lumturi.
PRESIDENTI NISHANI URON BESIMTARËT
Presidenti i Republikës Bujar Nishani uroi besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve. Në mesazhin e kreut të shtetit thuhet:
“Të dashur besimtarë kristianë-ortodoksë shqiptarë kudo ku ndodheni. Është ndjesi dhe kënaqësi nga më të veçantat dhe më të rrallat për mua, si njeri, si qytetar, si President, t'ju uroj juve Pashkët. Jo çdo President ka privilegjin, nderin, rastin, sigurisht dhe fatin, si dhe padyshim kënaqësinë, të urojë eventet rituale të disa besimeve. Presidenti i Shqipërisë është nga të rrallët që e ka këtë privilegj. Shqipëria është një vend i vogël me disa besime. Diçka e rrallë dhe e veçantë kjo që, nga pikëpamja e mësipërme, mua si President i Shqipërisë, më vë në një pozitë fatlume. Lejomëni të dashur besimtarë kristianë-ortodoksë, t’ju them shumë sinqerisht dhe shumë dashamirësisht se ushqej ndaj jush një simpati, një respekt dhe një stimë individuale të veçantë. Për një numër arsyesh. Së pari për marrëdhënien e ngushtë bashkëpunuese mes besimit tuaj, kishës suaj, përfaqësuesve të saj, besimtarëve dhe Rilindjes sonë Kombëtare. Kanë qenë, janë dhe do të mbeten përgjithmonë të pashlyeshme nga kujtesa jonë kombëtare lodhjet dhe sakrificat e pafundme që të parët tuaj mëmëdhetarë, me pushkë e me penë, bënë për çështjen kombëtare shqiptare gjatë shumë e shumë viteve brenda e jashtë Shqipërisë.
Të dashur e të nderuar besimtarë kristianë-ortodoksë,
Kemi bërë goxha rrugë. Ku ishim e ku jemi, vetëm të kujtosh shkatërrimin e përbindshëm të ndërtesave të kultit, martirizimin e priftërinjve, tmerrin e besimtarëve, se po të zbulonin dikë që kishte zier dhe ngjyrosur vezë për Pashkë, mund ta internonin ose burgosnin, të ngjethet mishi. Por, le të gëzojmë dhe urojmë njëri-tjetrin në këtë ditë gëzimi. Pas pak kemi zgjedhjet parlamentare. Ftoj me këtë rast, ju dhe komunitetet e tjera besimtare, në një bashkëpunim sa më të frytshëm me institucionet në të mirë të zhvillimit të qetë të zgjedhjeve. Me shumë respekt, ju përshëndes edhe një herë të gjithëve!”,- përfundon mesazhi i presidentit./Indeksonline/