“Dita e Mësuesve”, mesazhe urimi dhe mirënjohjeje për misionarët e dijes

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Sot është 7 Marsi, Dita e Mësuesve, ku urimet dhe vlerësimet për punën e tyre shprehen nga të gjithë nxënësit dhe qytetarët në të gjithë vendin.
Edhe politika ka uruar mësuesit në Shqipëri duke shprehur përulësi për kontributin e tyre në edukimin e brezave të rinj.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu uroi sot të gjithë mësuesit për festën e 7 Marsit.
“Me mirënjohjen për të gjithë mësuesit, që me durim dhe përkushtim mbjellin dhe kultivojnë farën e dijes tek fëmijët tanë, ju uroj Gëzuar 7 Marsin!”, shkruan Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi uroi sot mësuesit për festën e 7 Marsit.
“Sot është dita për të nderuar të gjithë mësuesit, edukatorët dhe akademikët – misionarët e dijes dhe të formimit të brezave të rinj. Me përkushtimin tuaj të palodhur, ju jo vetëm që ndani dije, por edhe ushqeni ëndrrat dhe formoni të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë”, shkruan Muzhaqi.
Muzhaqi u shpreh se “7 Marsi është një moment reflektimi për të forcuar më tej mbështetjen për arsimin dhe për t’ju shprehur mirënjohjen më të thellë për punën tuaj fisnike. Falë jush, investojmë në një shoqëri më të arsimuar, më të fortë dhe më të përgatitur për të ardhmen. Faleminderit për dritën që i jepni dijes dhe për ndikimin tuaj të pazëvendësueshëm në jetën e çdo nxënësi”.
Një urim për mësuesit vjen sot edhe nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në masën e sigurisë “Arrest me burg” me kërkesë të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion (SPAK) dhe me vendim të Gjykatës Speciale Antikorrupsion (GJKKO).
“Ja ku erdhi 7 Marsi dhe pavarësisht vendit ku ndodhem, s’mund të rrija pa ju uruar Gëzuar Ditën e Mësuesit, ndonëse do të kisha dashur që, këto fjalë zemre, t’ua shkruaja, si çdo vit, nga zyra ime, në krye të punëve të qytetit. Mësuesit e mi, mësuesit tanë, mësuesit e brezave, duke u përulur si gjithnjë para Jush, duke nderuar përpjekjet, mundin, punën tuaj të paçmuar, nga këtu ku jam padrejtësisht, ju shoh nëpër korridoret, klasat, laboratorët, bibliotekat, palestrat plot dritë dielli të shkollave që së bashku i bëmë për Ju dhe nxënësit që udhëhiqni drejt jetës. Përfytyroj ndjesinë pozitive që krijojnë 45 shkollat e reja e të shumta, si dita me natën, me ato brenda të cilave ju është dashur të jepni mësim më parë. Njëherësh ju premtoj se do të vijojmë me më shumë shkolla të reja. Se planet i kemi bërë për t’i përmbushur”, shkruan Veliaj.
Në të gjitha trevat shqiptare festohet sot 7 Marsi, Dita e Mësuesit. Kjo ditë festohet në të gjitha shkollat e vendit me aktivitete të shumta në shenjë falënderimi për mësuesit për punën që kryejnë në edukimin e brezit të ri.
/k.s//r.e//a.f/