Fituesit e çmimit të madh “Karlspreis” në Tiranë, dialog midis brezave mbi perspektivat e Evropës 2030

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Në një event unik për rajonin e Ballkanit, Fondacioni “Karlspreis”, i lidhur me çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Karlspreis – Karli i Madh” (International Charlemagne Prize of Aachen), një nga nderimet më të larta evropiane për më shumë se shtatë dekada, mblodhi në Tiranë laureatë të këtij çmimi së bashku me liderë të rinj nga Shqipëria dhe pjesa tjetër e Evropës.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni së bashku me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi si dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë mirëpritën eventin e nivelit të lartë “NextGEN Voices for Europe (Zërat e gjeneratës së re për Evropën) të orientuar drejt të rinjve dhe bashkëpunimit evropian, të organizuar në bashkëpunim me Fondacionin Rinor “Karlspreis”.
Që prej vitit 1950, çmimi i madh “Karlspreis” u është akorduar personaliteteve dhe institucioneve me kontribut të spikatur në bashkimin dhe përparimin e Evropës përfshirë figura historike si Winston Churchill, “baballarëve themelues” të Bashkimit Evropian, Jean Monnet dhe Robert Schuman, diplomatit Henry Kissinger etj.
Ky çmim ndërkombëtar mban emrin e perandorit Karli i Madh, i cili sundoi pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore. Ai u kurorëzua perandor në Romë në vitin 800 dhe luajti një rol kyç në formësimin e historisë evropiane.
Deri më sot, çmimi i madh i është dorëzuar liderëve në detyrë dhe personaliteteve të shquara, si presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, presidenti francez Emmanuel Macron, ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-kancelarja Angela Merkel, ish-kryeministri britanik Tony Blair, Papa Françesku etj.
Më datën 29 maj 2025, çmimi “Karlspreis” do t’i dorëzohet presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për përpjekjet e saj në bashkimin e Unionit, menaxhimin e Pandemisë, forcimin e mbrojtjes së Evropës ndaj Rusisë si dhe nxitjen e Marrëveshjes së Gjelbër.
Kryeministri Edi Rama, dy laureatët e çmimit “Karlspreis”, Martin Shulz, ish-president i Parlamentit Evropian dhe Veronika Tsepkalo, përfaqësuese e opozitës bjelloruse, dr. Jürgen Linden, kryetar i bordit drejtues i “International Charlemagne Prize”, përshëndetën sot në Tiranë fituesit e Çmimit të Rinisë “Karlspreis”, si dhe të rinjtë shqiptarë duke shkrirë kufijtë në një dialog pa doreza dhe të thelluar midis brezave mbi të ardhmen e Evropës në vitin 2030.
Përtej debatit intelektual, “NextGEN Voices for Europe” ofron një përvojë të pasur kulturore, duke nxjerrë në pah trashëgiminë historike dhe aspiratat evropiane të Shqipërisë.
Të ftuarit në eventin “NextGEN Voices for Europe” (Zërat e Gjeneratës së Re për Evropën) kanë mundësinë të zbulojnë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë përmes një vizite në qendrat historike të Krujës dhe Durrësit. Ky udhëtim u ofron një përvojë autentike, duke i njohur më nga afër me historinë, traditat dhe vlerat që e lidhin Shqipërinë me aspiratat evropiane.
/m.m//r.e//a.f/