E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Modës 2009, studentët sjellin tendencat e reja

Departamenti i Tekstilit dhe Modës zhvilloi një sfilatë mode me stilime të studentëve
Një sfilatë mode e veçantë u prezantua mbrëmë në skenën e teatrit veror Gëzim Kame në Ibë. Tendencat e reja të modës erdhën kësaj here nga stilimet e studentëve, të cilët prezantuan në këtë sfilatë veshje të dizenjuara nga ata vetë. Një pasarelë mode, ku gjithçka kishte të bënte me elementët e rinj, erdhi para publikut duke sjellë larmi ngjyrash dhe modelesh. Në këtë mbrëmje pranverore, vajzat për herë të parë sfiluan në ambientet e këtij teatri veror, duke sjellë para publikut tendencat e reja të modës, por ndryshe nga sfilatat e tjera ajo solli diçka ndryshe. Dita e Modës 2009 është një aktivitet i studenteve të viteve të fundit të cilët në kuadër të punimeve vetjake dhe projekteve të kursit që ata zhvillojnë në një prej lëndëve të formimit profesional Modelim Veshjesh. Aktiviteti ka për qëllim të paraqesë në formën e një sfilate studentësh veshje të ideura, stiluara, dizenjuara, prera dhe qepura nga vetë studentët, të cilët ndërthurin tendencat e modës, shijet e studentëve dhe informacionin e thelluar që ata marrin në këtë degë. Objektivat e Ditës së Modës 2009 të studentëve të Departamentit të Tekstilit dhe Modës janë: promovimi i punës së studentëve të degës së Inxhinierisë dhe Modës si e vetmja e këtij lloji në vend nën kujdesin e pedagogëve të tyre, nxitja e bashkëpunimeve në fushën e tekstilit dhe modës me ente të tjera shtetërore, private, kompani të prodhimit të veshjeve dhe ente tregtare të interesuara, përfshirja e studentëve me të ardhme si stilistë të rinj në aktivitete të tjera më të gjera në fushën e dizenjimit, modës dhe prodhimit të veshjeve, promovimi i studentëve të cilët së shpejti do të diplomohen pranë kësaj dege si specialistë të mirëfilltë prodhimi industrial, stilistë të ardhshëm të aftë për tu punësuar në tregun vendas e më tej. Dita e Modës 2009 vjen si organizim i Departamenti të Tekstilit dhe Modës, në Universitetin Politeknik të Tiranës, për të cilin ky aktivitet i përvitshëm zhvillohet për të pestin vit radhazi. Departamenti i Tekstilit dhe Modës është njësi mësimore dhe shkencore e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të UPT, i cili mbulon një degë të veçantë të këtij fakulteti atë të Inxhinierisë së Tekstilit dhe Modës. Departamenti i Tekstilit dhe Modës është pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës që prej vitit 1984. Ky Departament mbulon të vetmen degë universitare në fushat e Tekstilit, Modës, Fashion Design, Menaxhimit të Ndërmarrjeve të Tekstilit dhe Veshjeve në Shqipëri. Që në fillim të vitit akademik 2005 -2006 departamenti ka aplikuar sistemin me dy nivele diplomimi Bachelor dhe Master të cilat marrin parasysh: Traditën e formimit të inxhinierit tekstil në UPT, modelet e shkollave të ngjashme të drejtim tekstil dhe modë, strukturën e sektorit të industrisë së tekstilit dhe atij të prodhimit të veshjeve në Shqipëri, mungesën e shkollave të tjera universitare në fushën e tekstilit dhe modës në vend. Ky aktivitet vjen në bashkëpunim me Teatrin e Metropolit,i cili tashmë po zhvillon një axhendë të ngjeshur me aktivitete artistike. Kështu në vijim të aktiveve të tij, ishte Vesa Jazz Festival, ku kryeqyteti kaloji disa ditë nën ritmet e muzikës xhaz, e cila erdhi pranë publikut nga emra të njohur botërorë. Në Teatrin e Metropolit performuan personazhet nga më të njohurit në nivele ndërkombëtare të kësaj muzike, që nga saksofonisti Hal Singer 90 vjeçar, i cili konsiderohet një nga legjendat e gjalla të muzikës xhaz, por pjesëmarrës në këtë eveniment ishin dhe emrat më të rinj të muzikës xhaz në Itali. Këtë vit Vesa Jazz  Festival erdhi nën organizimin e Rei Jazz Club dhe Teatrit të Metropolit. Festivali erdhi me të njëjtën filozofi më të cilën edhe ka nisur, të promovojë muzikën xhaz, tradicional, standard, kreativ, modern dhe bashkëkohor, te të gjithë dashamirësit e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›