E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi merr mbështetje nga Kroacia për liberalizimin e vizave me Shqipërinë

Presidenti Topi takohet me krerët më të lartë kroatë
Liberalizimi i vizave me Kroacinë është një çështje, e cila do të gjejë zgjidhje të menjëhershme. Ky fakt është pohuar nga krerët më të lartë të këtij shteti, gjatë vizitës së presidenti Bamir Topi ka zhvilluar në këtë vend. Mbështetje për heqjen e vizave midis dy vendeve, kreu i shtetit shqiptar ka marrë nga presidenti kroat, Stjepan Mesiç, nga kryeministri Ivo Sanader si dhe nga kryeparlamentari kroat Luka Bebiç, gjatë vizitës zyrtare që ka zhvilluar në Kroaci. Gjatë takimit të zhvilluar me presidenti kroat, Stjepan Mesiç, ky i fundit ka siguruar presidentin Bamir Topi për liberalizimin e vizave mes dy vendeve. Sipas tij ka ardhur koha që qeveria kroate të ndërmarrë këtë hap, sidomos po të mbahet parasysh se Shqipëria i ka liberalizuar vizat për qytetarët kroat që në vitin 2002. Në marrëdhëniet mes dy vendeve, që konsiderohen shumë të mira, ndikon padyshim edhe anëtarësimi i njëkohshëm i të dy vendeve në NATO. Zhvilluam bisedimet me presidentin Topi dhe anëtarët e delegacionit të Shqipërisë, dhe mund të them që kemi biseduar hapur, si miq dhe si udhëheqës të vendeve mes të cilëve nuk ka asnjë një çështje të pazgjidhur. Besoj që atmosfera gjatë gjithë vizitës së presidentit të Shqipërisë ishte shumë e mirë, gjë që flet për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve tona dypalëshe. Nën këtë atmosferë po zhvillohet edhe vizita e presidentit Topi, u shpreh Mesiç. Ndërsa presidenti Topi u shpreh se me homologun Mesiç ka diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave mes dy vendeve. Padyshim që ka qenë një predispozicion konstant i presidentit Mesiç për nevojën e liberalizimit të vizave. Të dy ramë dakord që ka ardhur koha për ta realizuar këtë gjë konkretisht, u shpreh Topi. Garanci për liberalizimin e vizave mes dy vendeve, kreu i shtetit shqiptar ka marrë edhe nga kryeministri kroat, Ivo Sanader. Gjatë këtij takimi është nënvizuar rëndësia e shkëmbimit të takimeve dypalëshe, të zhvillimit të tryezave rajonale dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta që shërbejnë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si: ekonomia, energjetika, transportet, turizmi, kultura, etj. Në këtë kuadër do të ishte me interes heqja e plotë e regjimit të vizave, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave si dhe nxitja dhe zhvillimi i bashkëpunimit në fushën e turizmit ku një rol të madh do të luanin edhe vendosja e një linje direkte ajrore Zagreb-Tiranë dhe e një linje të mundshme detare Durrës-Rijeka apo përfundimi i Korridorit infrastrukturor Adriatiko-Jonian. Kryeministri Sanader, pas kërkesës së presidentit Topi se çështjes së liberalizimit të plotë të regjimit të vizave i ka ardhur koha për tu finalizuar, meqenëse vullneti politik ekziston, e siguroi kreun e shtetit shqiptar se një gjë e tillë do të bëhet sa më shpejt. Ndër të tjera, kryeministri kroat e ka garantuar presidentin Topi se Kroacia do të japë gjithë ndihmën e nevojshme për përçimin e përvojës në drejtim të përmbushjes së të gjitha standardeve dhe realizimit të aspiratës integruese të vendit tonë në gjirin e familjes evropiane. Ndërsa nga ana e tij, presidenti Topi pasi shprehu kënaqësinë e veçantë për realizimin vizitës kaq të rëndësishme në Kroaci, theksoi nevojën për rritjen dhe intensifikimin e tyre dhe bashkëpunimit ekonomik, në mënyrë që këto marrëdhënie tu përgjigjen edhe nivelit të shkëlqyer të dialogut politik. Të dy personalitetet e larta theksuan rëndësinë e reformës në sistemin gjyqësor, pavarësia e tij si dhe bashkëpunimi mes institucioneve të pavarura të drejtësisë. Presidenti Topi dhe kryeministri kroat, Sanader ndanë të njëjtin mendim se anëtarësimi i vendeve tona në NATO në të njëjtën ditë konsiderohet si një ngjarje e rëndësishme historike si për Shqipërinë ashtu dhe për Kroacinë. Ky anëtarësim është një vlerësim tepër pozitiv për ecurinë e reformave rrënjësore në të dy vendet dhe për kontributin shumë të rëndësishëm që Shqipëria dhe Kroacia kanë dhënë dhe japin për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit, si dhe për praninë e tyre përkrah misioneve ushtarake të NATO-s, në Afganistan, Irak, Bosnjë-Hercegovinë, veçoi kreu i shtetit shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›