E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshat Ibrahimi rizgjidhet president i SPASH

Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë (SPASH) zhvilloi dje kongresin e dytë të saj, në mjedise të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm personalitete të ndryshme të artit e kulturës, si Irini Qirjako, e cila mbajti fjalën e hapjes së këtij kongresi, duke vijuar më pas me Reshat Ibrahimin, i cili u zgjodh gjithashtu edhe president i SPASH. I pranishëm ishte edhe zv. Ministri i Kulturës Ekrem Spahia, drejtori i TKOB, Zhani Ciko, si dhe shumë artistë dhe punonjës të artit dhe kulturës në Shqipëri. Ajo që u theksua gjatë referateve të secilit, prej të pranishmëve ishte se ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm në drejtim të mbrojtjes së interesave të vetë artistëve. Ky është një moment i rëndësishëm për njerëzit e kulturës dhe artit, është një dritë jeshile për mbrojtjen e interesave tona, u shpreh në fillim të çeljes së këtij kongresi Irini Qirjako. Gjithashtu në këtë kongres u konstatua se aktiviteti dhe veprimtaria e SPASH, që nga kongresi i parë ka rezultuar i suksesshëm, në drejtim të rrugës që është nisur në mbrojtje të interesave social-ekonomike të artistëve, në të gjithë Shqipërinë dhe është një burim dhe një garanci për t`i avancuar edhe më përpara arritjet, të cilat kërkojnë një angazhim dhe përkushtim maksimal për të përballuar sfidat e kohës. Gjithashtu punimet e këtij kongresi i ka përshëndetur edhe zv. Ministri Kulturës Ekrem Spahia , i cili u shpreh se ndihej i kënaqur që në emër të institucionit që ai përfaqëson, të ishte i pranishëm. Por si një organizëm të madh e me vlerë në funksionin që kryen, e ka cilësuar këtë sindikatë edhe drejtori i TKOB, Zhani Ciko. SPASH është një organizëm i madh dhe është hera e parë që artistët dhe anëtarët e këtij institucioni janë të mbrojtur dhe vlerësohen nga shteti. Pra është pikërisht ky i fundit që u krijon kushtet e nevojshme artistëve për të përballuar sfidat e artit. Jam i lumtur që sot artistët ndihen mirë dhe dua të theksoj se ka ardhur koha që këta artistë të respektohen e të vlerësohen më shumë- është shprehur Ciko. Gjatë punimeve u theksuan gjithashtu se cilat do të ishin politikat e SPASH dhe ku do të synonin ato këtë vit. Kështu, këto politika synojnë që në të ardhmen të ndërtojë marrëdhënie apo bashkëpunim, jo vetëm me institucionet por edhe me qeverinë për të përsosur këtë partneritet dhe dialog social. Në të njëjtën kohë SPASH do të jetë gjithmonë në mbrojtje të institucioneve të kulturës, si dhe do të japë kontributin e nevojshëm në përmirësim të kushteve të punës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›