Dita e Pavarësisë, Vlora në pritje të festimeve
Atmosfera festive ka përfshirë qytetin simbol të pavarësisë, Vlorën. Në kuadër të festimeve të ditës së flamurit në këtë qytet gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar një sërë aktivitetesh kulturore ndërsa në datat 25 dhe 26 nëntor u zhvillua festivali i isopolifonisë i cili mblodhi grupe muzikore nga qytetet e vendit si dhe Kosova. Drejtori i pallatit të kulturës Istref Dobi vlerëson atmosferën e përcjellë nga ky koncert në kuadër të ditës së madhe të pavarësisë.
Në edicionin e 10 të koncertit të isopolifonisë merrnin pjesë 19 grupe ndërsa axhenda e ngjeshur e aktiviteteve kulturore do të kulmojë ditën e flamurit me një sërë aktivitetesh të organizuara nga bashkia. Fillimisht qyteti do të vishet kuqezi nga marshimi me flamuj, ndërsa ceremonitë zyrtare do të vijojnë në sheshin e Flamurit ne ora 10 ku do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi. Në stadiumin e Vlorës do te zhvillohet Kupa e Pavarësisë me ekipe futbolli nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ndërsa në disa pika të qytetit do të ketë koncerte. Për herë të parë këtë vit në Vlorë do të zhvillohet edhe nata e bardhë, një inisiativë e një grup të rinjve, e cila mbështetet nga bashkia e qytetit.