Pavarësia, Bashkia e Tiranës fton qytetarët në festë
Bashkia e Tiranës ka ftuar sot të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e festimeve për 99-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha bëri edhe njëherë me dije programin që Bashkia do të ndjekë nesër në kuadër të festimeve.
Sheshet kryesore do shndërrohen në qendra argëtimi për të rritur e fëmijë, panaire, këngë, animacione, shfaqje cirku, valle tradicionale e gjithçka tjetër që pritet të sjellë atmosferë të vërtetë festive këtë fund nëntori.
Kështu në orën 10:00 festimet do të zhvillohet një ceremoni në varrezat e Dëshmorëve ndërsa në rrugën Murat Toptani do të zhvillohet panairi “Blej shqip”.
Një vend i veçantë do t`i rezervohet edhe fë mijë ve ku nga ora 10:00 – 13:00, do të jepet një shfaqje për fëmijë nga Cirku i Tiranës Teatri Metropol dhe fëmijët e qendrës “TEN” në Parkun Rinia.
Festime do të ketë edhe në trotuarin përpara Galerisë së Kombëtare të Arteve ku do të jetë këndi i fotografisë .
Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00 në Sheshin “Nënë Tereza”, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur.