Dita e Shëndetit Mendor/ Zonja Begaj: Të ndërtojmë një të ardhme më të shëndetshme

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 10 Tetorin e çdo viti si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor dhe përpjekjet e mobilizuara në mbështetje të shëndetit mendor në mbarë botën.
Zonja e parë, Armanda Begaj, ka ndarë një mesazh për këtë Ditë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me njëri-tjetrin për një të ardhme më të shëndetshme për mendjen dhe shpirtin.
“Çdokush është i ekspozuar ndaj fenomeneve që çojnë në mungesë të mirëqenies së shëndetit mendor.
Adoleshentët dhe të rinjtë, fëmijët tanë më shumë.
Koha që po jetojmë na dhuroi ngjarje tragjike; pandeminë, luftën, ndryshimet e klimës. Informacioni është fuqi, por abuzimi më të është shkatërruesi më i madh i shoqërisë.
T’i ndajmë me njëri-tjetrin ndjenjat e ankthit, depresionit apo ndonjë sfide tjetër, që lenë gjurmë dhe ngarkojnë hapësirën tonë, duke shfaqur mungesë përshtatjeje e komunikimi!
Të sigurojmë një mjedis tolerant dhe mbështetës për të gjithë, pa stigmë e diskriminim!
Askush të mos jetë vetëm duke luftuar në heshtje!
Bashkë mund të ndryshojmë! Bashkë mund të ndihmojmë njëri-tjetrin!
Bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme më të shëndetshme për mendjen dhe shpirtin!”
Dita Botërore e Shëndetit Mendor (çdo 10 tetor që prej vitit 1992) ka në fokus ndërgjegjësimin, sensibilizimin, sjelljen në nivel global, si edhe sigurimin e një komuniteti që kupton, pranon, por edhe luan rol aktiv në krijimin e një shoqërie që gëzon shëndet mendor.
/rtsh.al/