E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Tokës, Basha dhe Berisha mbjellin pemë dafine në Tiranë

TIRANE - Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Kryebashkiaku Basha dhe Kryeministri Berisha mbjellin pemë dafine në Tiranë. Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministri kanë përzgjedhur bllokun e banimit 61/1, në njësinë bashkiake nr. 4, për të mbjellë një pemë në mënyrë simbolike.

Me një investim prej 18.6 milionë lekësh, ky bllok banimi iu nënshtrua rikualifikimit urban nga Bashkia e Tiranës, duke sjellë një standard të ri për banorët e kësaj zone. Kjo hapësirë publike ka tashmë pamjen e një kompleksi që përfshin gjelbërimin me dafina dhe bli, fushë sporti, kënde lojërash për fëmijë dhe një kabinë info-point.

Kryeministri Berisha vlerësoi punën e deritanishme të Bashkisë së Tiranës, për përmirësimin e mjedisit dhe të ajrit në kryeqytet. “Një nga arritjet më të mëdha të këtyre viteve, - u shpreh Kryeministri, - ka qenë rënia e ndotjes së ajrit në sheshin “Skënderbej” dhe në zona të tjera të kryeqytetit”.

“Me mbjelljen e vazhdueshme të pemëve, dhe unë di që Bashkia ka një projekt të shkëlqyer për rivitalizimin e Tiranës, rigjelbërimin e saj, një projekt që po ecën me shpejtësi në këtë drejtim, ka një projekt të ndërtimit të terreneve sportive, Tirana do të bëhet shumë më e shëndetshme, shumë më njerëzore, se qyteti që dorëzoi njeriu që firmosi sot epitafin e rilindjes së tij.” – theksoi Kryeministri.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›