Dita e Verës, Veliaj për “Jetë Shqiptare”: Të zihemi më pak e të duhemi më shumë, aktivitete në çdo cep të Tiranës

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka uruar për mikrofonin e RTSH Ditën e Verës për të gjithë qytetarët. Në një mesazh për emisionin “Jetë Shqiptare”, Veliaj ka deklaruar se fakti që dita e sotme është me diell, është tregues i mësimit të natyrës se pas acarit vjen një ditë e ngrohtë.
“Gëzuar ditën e verës është një ditë e jashtëzakonshme me diell. Tregues i mësimit që na jep natyra që pas shiut dhe rrebeshit, pas të ftohtit dhe acarit, vjen gjithmonë një ditë e bukur e ngrohtë.
Por besoj se metafora vlen për secilin prej nesh. Kemi nevojë për verë dhe për diell në zemrën tonë, në mendjen tonë, të zihemi më pak e të duhemi më shumë, të mos përçahemi por të bashkohemi. Shpresoj të jetë një verë edhe për zemrat tona dhe për familjet tona”, tha Veliaj, teksa u shpreh se gjatë kësaj dite ka marrë shumë dashuri nga qytetarët.
Ai tha se në Tiranë sot organizohen 34 evente.
“Kam marrë dashuri pafund sot. Kemi pasur aktivitete në çdo cep, nga Pazari i Ri te Kopshti Zoologjik, rreth 34 stacione. Festa do vazhdojë në darkë. Shpresoj se çdo moshë ka gjetur veten”, përfundoi ai.
/rtsh.al/