Dita e Verës, aktivitete të shumta në kryeqytet
Tirana për të shtatin vit radhazi do t`i bashkangjitet festimeve të mëdha në mbarë vendin për Ditën e Verës, përmes aktiviteteve të shumta që Bashkia e Tiranës ka planifikuar për 14 Mars.
Kjo traditë e hershme, që simbolizon ardhjen e stinës së ngrohtë pritet të mbushë sot të gjitha rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit me larmi aktivitetesh.
Festimet do të nisin sot, rreth orës 10.00 me aktivitete për të gjitha moshat, ku këngët dhe vallet do të çelin siparin e festimeve. Më pas, akrobatë dhe klounë nga Cirku i Tiranës do të argëtojne fëmijët e pranishëm përgjatë gjithë bulevardit kryesor.
Ndërkohë në lulishten e "Vëllezërve Frashëri" do të jenë të pranishme harqet, muzika klasike dhe stendat e librave, ndërsa këngëtarë e grupe të njohura të muzikës moderne do të performojnë në skenën e urës së madhe.
"Dita e Verës" në Tiranë, nuk është më vetëm një arenë gjigande argëtimi, por edhe një vend ku të gjithë të interesuarit mund të informohen për tendencat më të fundit të modës dhe estetikës.Sot, mund të keni shansin të shihni nga afër modelet më të reja për këtë vit dhe të ndërroni pamjen tuaj nga parukierët dhe estetistët e njohur, që do të performojnë në një skenë gjigande.