Në festa, look perfekt jashtë çdo kornize

Detaje që ju bëjnë të shkëlqeni në festa, duke ju nxjerrë jashtë çdo kornize ku jeni futur gjatë ditëve të zakonshme.
Festat e vënë çdo femër përballë një përgjegjësie të madhe, se si duhet të jetë linja dhe stili i saj për atë natë. Pikë e fortë dhe vendimtare për përzgjedhjen e çdo detaji është vendosja e proporcionit të veshjes. Kjo mund të quhet dhe A-ja nga duhet të nisemi edhe për plotësimin e detajeve të tjera, siç janë këpucët apo sandalet, çanta e vogël, zarf apo borsalinë me rrip, flokë të kapur apo të lëshuar, grim i rënduar apo sa më natyral.
Fustanet
Në qoftë se fustani që ju keni zgjedhur është i linjës klasike, i gjatë si për tapetin e kuq, sekreti që mos të krijojë lodhje, është përzgjedhja e ngjyrave neutrale. Në rastet kur kemi të bëjmë me veshje me proporcione të shkurta, pse jo, mund të përdorim dhe teminat dhe gurin e fortë. Përdoren ngjyrat e forta, sepse sa më i vogël të jetë proporcioni, aq më në sy duhet të bjerë fustani, si dhe aq më i rëndë duhet të jetë ai. Shkëlqimi dhe glamuri janë dy elementet kryesore, që shoqërojnë modën.
Aksesorët
Për ta shndërruar aksesorin në funksion të veshjes dhe stilit, duhet të kemi parasysh faktin, se nëse copa e fustanit është mat, aq më vezullues dhe me dritë duhet të jenë aksesorët, që e shoqërojnë atë. Në rastin e kundërt, kur veshja që kemi e ka shkëlqimin brenda, duhet që aksesorët të minimizohen, ose mos të përdoren fare, me përjashtim të vathëve. Ngjyrat marrin një domethënie të veçantë, por duan kujdes në përzgjedhje. Më perfekt janë ari, e kuqja, argjendi. Ngjyra blu klasike nuk u sugjerohet zonjave, sipas specialistëve të modës, por nëse ka nga ato, që e preferojnë këtë ngjyrë, më mirë do të ishte të zgjidhnin blu-marinën, pasi është më luks. Gjithashtu, ngjyra pana hyn në top-listën e më të kërkuarave.
Çantat
Çdo femër pa çantë ngjan shumë bosh, ndaj ajo gjithnjë duhet ta shoqërojë veshjen me një çantë, që i rri asaj dhe stilit që ka zgjedhur. E rëndësishme është që të jenë në formë borsaline dhe me sa më shumë shkëlqim e glamur, kryesisht në mbrëmje festive. Çanta nuk duhet të jetë as më lart dhe as më poshtë, por në të njëjtin nivel me veshjen, në tërësi. Ajo çka është më e rëndësishme, është fakti, se ajo duhet të ndihet si pjesë e veshjes dhe jo si aksesor i veçuar. Speciale është forma drejtkëndore apo ovale, pak më e madhe se një portofol; mund të ketë një zinxhir të gjatë, që mund të përdoret ose të mbahet në dorë. Ngjyrat e preferuara janë bronz, florir, argjend dhe e zezë me gurë. Kujdes, në kontrastet veshje glamuroze, çanta më pak e ngarkuar. Në rastin e fustaneve mat, çanta dhe aksesorët e tjerë të jenë sa më vezulluese. Ky është kodi i suksesit në përzgjedhjen e saj.