E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Verës në Tiranë, fëmijë dhe të rritur festojnë së bashku

TIRANË, 16 mars /ATSH/ Atmosfera festive e Ditës së Verës përfshiu kryeqytetin më 14 mars, ku mijëra qytetarë, fëmijë dhe të rritur, vendas e turistë u bënë pjesë e aktiviteteve të shumta të organizuara në zona të ndryshme të Tiranës.

Kryeministri Edi Rama ndau foto në rrjetet sociale nga festimet e shumta të realizuara gjatë Ditës së Verës, të cilat përfshinin koncerte muzikore, aktivitete sportive si dhe hapësira të posaçme argëtimi për fëmijët, duke krijuar një atmosferë festive ku të vegjlit dhe të rriturit festojnë së bashku.

Nëpër sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit, njerëz të shumtë shijuan festimet nën diellin e ngrohtë pranveror, ndërsa rreth 50 aktivitete kulturore, artistike dhe argëtuese të dedikuara për të gjitha grupmoshat ishin organizuar nga bashkia.

Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, kishte aktivitete që promovojnë traditën shqiptare, përfshirë muzikën dhe veshjet popullore. Ndërkohë, në zona të tjera të qytetit ishin ngritur stenda panairi me produkte artizanale dhe gatime tradicionale.

Dita e Verës është një nga festat më të vjetra pagane shqiptare, me rrënjë që shtrihen thellë në lashtësi. Origjina e saj lidhet me kultin e natyrës dhe festimin e rikthimit të diellit pas dimrit të ftohtë. Kjo festë, e cila dikur kremtohej vetëm në Elbasan, sot është bërë një simbol kombëtar i pranverës dhe gëzimit.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›