E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dita e dytë e vizitës zyrtare në Kosovë, Presidenti Begaj takon sot krerët e partive politike

Presidenti Bajram Begaj nisi më 15 gusht vizitën 2-ditore në Kosovë. Begaj u prit në Prishtinë në një ceremoni zyrtare nga homologia e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ditën e sotme (16 gusht), Presidenti Begaj do të zhvillojë një sërë takimesh, duke nisur me Kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi, Kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, Kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, partitë minoritare, Komandantin e KFOR-it, me trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare, që shërbejne në KFOR (Pejë), Kryetarin e Komunës së Prizrenit pët ta përmbyllur me një vizitë në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.

Më 15 gusht, Presidenti Begaj zhvilloi një takim “tetë a tetë” me homologen Osmani dhe më pas dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp. Në fjalën e tij para mediave, Begaj u shpreh se liberalizimi i vizave për Kosovën është një premtim i pambajtur, ndërsa siguroi homologen Osmani për mbështetjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Më pas Presidenti Begaj, ka pasur një takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Presidenti Bajram Begaj, pas takimit me Osmanin dhe Konjufcën, ka zhvilluar edhe një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Gjatë këtij takimi Presidenti Begaj theksoi se abetarja e përbashkët do të jetë gati për 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe do të punohet për projektin madhor të Enciklopedisë shqiptare. Bajram Begaj, më 24 korrik të këtij viti u betua në Kuvendin e Shqipërisë si Presidenti i 8-të i Shqipërisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›