Dita e heqjes së përmendores
Pamjet e ngjarjeve të shkurtit të vitit 1991 në Sheshin Skënderbej patën pushtuar gjithë botës, duke e sjellë edhe një herë Shqipërinë në fokusin e zhvillimeve ndërkombëtare. Njëkohësisht, rrëzimi i përmendores së diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, shënoi ndarjen me të kaluarën komuniste dhe fillimin e një epoke të re - atë të demokracisë.
Ndërkohë të hënën, në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë, u përurua Pavijoni i Terrorit Komunist. Në përurim mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Nëpërmjet fotove, dokumenteve shifrave e objekteve personale të burgosurve, të pushkatuarve e të internuarve të shumtë, në pavijon do të jepen të dhëna tronditëse për këtë kategori njerëzish, pjesë e së cilës ishin njerëz të zakonshëm por edhe ish-deputetë e ministra të asaj kohe, një pjesë e të cilëve vdiqën nëpër burgjet e diktaturës komuniste.
Ndryshe, pavijoni është vendosur në katin e dytë të Muzeut Kombëtar, dhe ai ka një sipërfaqe ekspozuese prej 400 metrash katrorë. Duke ndjekur një vijë historiko-kronologjike të ngjarjeve, në rreth 60 stendat e tij trajtohen ngjarjet historike mes viteve 1945–1990. Bashkangjitur me stendat, në pavijon është parashikuar të vendosen disa monitorë, të cilët do të shfaqin kolazhe dokumentesh që nuk kanë mundur të ekspozohen, lista të gjata të emrave të të persekutuarve, si dhe materiale audio-vizive të nxjerra nga Arkivi i Filmit.
Në kohën e shënimit të 21-vjetorit të kësaj ngjarjeje, Shqipëria tashmë është anëtare fuqiplotë e NATO’s dhe një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.