“Dita e lëvizjes së lirë po afron dhe kjo është merita e të rinjve”
Kryeministri Berisha përshëndet anëtarësimin në PD të 835 të rinjve e të rejave të Kamzës
Në përvjetorin e 20-ë, Partia Demokratike ka hapur siparin e anëtarësimeve të reja në parti. Kryeministri Sali Berisha i pranishëm në ceremoninë e posaçme në qytetin e Kamzës ku morën teserën e PD-së 835 të rinj dhe të reja, përshëndeti të rinjtë, për zgjedhjen e tyre, duke deklaruar se ky është një inkurajim i jashtëzakonshëm, për partinë më të madhe në vend. Kreu i ekzekutivit i falënderoi ata për mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Demokratike që nga themelimi i saj 20 vjet më parë, fitoren historike në vitin 1992 dhe rikthimin në pushtet në vitin 2005-ë. E gjithë kjo, tha kryeministri, falë punës dhe mbështetjes së rinisë shqiptare. Me këtë rast, shefi i ekzekutivit e përkufizoi PD-në si parti të të rinjve dhe të idealeve evropiane të Shqipërisë.
Kreu i qeverisë tha para të rinjve se me anëtarësimet e reja në radhët e PD-së, hapet sipari i 20 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike dhe pluralizmit në Shqipëri.
Gjithashtu, kryeministri vlerësoi se Partia Demokratike standardizoi rrugën e integrimit dhe prosperitetit të Shqipërisë, përmes mbështetjes së çmuar të të rinjve, të cilët me anë të guximit, trimërisë dhe vendosmërisë së pakursyer, dolën mbi diktaturën më të urryer në Evropë.
“Ishit ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që përcaktuat fitoren historike të Partisë Demokratike në vitin 1992; ishit ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që me votën tuaj, me guximin tuaj, me vendosmërinë tuaj bëtë që në vitin 2005 të përzinit nga pushteti rebelët që erdhën me armë në pushtet; ishit ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që u ngritët mbi mashtrimin, trillimet, shpifjet dhe në vitin 2009 i dhatë fitoren Partisë demokratike. Ju e themeluat këtë parti 20 vjet më parë. Guximi, trimëria, vendosmëria juaj bëri që shqiptarët të na zgjedhin mbi diktaturën më të egër në Europë, tha më tej kryeministri, duke iu drejtuar të rinjve dhe të rejave se, ju merrni sot dokumentin e Partisë Demokratike, sepse ajo është partia e ëndrrave më të bukura tuaja dhe të mbarë shqiptarëve, partia e integrimit të Shqipërisë në NATO”.
Berisha premtoi vazhdimin e reformave për integrimin e vendit e vendit në Bashkimin Europian, ndërsa shtoi se vetëm pas pak muajsh, bëhet realitet një nga premtimet e PD-së, lëvizja e lirë në hapësirën “Schengen”.
“Së bashku, 20 vite më parë do të mbushnim sheshet e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë me brohoritjet “Shqipëria në NATO”, “Shqipëria si gjithë Evropa”, ndërsa sot Shqipëria është në NATO dhe ecën e sigurt drejt Evropës. Ishit ju ata, të cilët nën moton “Shqipëria si Evropa” besonit se ju do të lëviznit të lirë në mbarë Evropën, dita po afron dhe kjo është vepra juaj. Unë dua t’ju garantoj ju sot këtu se kjo parti ka qenë dhe do të mbetet, para së gjithash dhe mbi të gjitha, parti e vizionit tuaj evropian, parti e idealit tuaj evropian, parti e rinisë shqiptare. Rrugën tonë drejt Evropës nuk e kemi bulevard me lule, por vendosmërinë e kemi të madhe. Me vendosmërinë tonë, me kurajën tonë, me ndershmërinë tonë ne do të ecim të sigurt dhe në sukses të plotë drejt Shqipërisë evropiane, drejt të ardhmes evropiane, drejt idealeve tona evropiane”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.