“Shqipëria nuk është në krizë, opozita të mësojë përmes ndeshjeve të Botërorit”

Kuvendi/Reagon mazhoranca
Deputetët e Edvinit vazhdojnë të kërkojnë ende të “drejtat e mohuara” lidhur me zgjedhjet, por shumica i kërkon të vlerësojë vendimet e gjykatave si ajo e një arbitri të një ndeshje futbolli që as nuk kontestohet dhe as nuk kthehet mbrapsht. Për analogji, sot starton Kupa e Botës, evenimenti ku opozita e Edvinit mund të gjykojë rolin e arbitrit të ndeshjes mes humbësit dhe fituesit të ndeshjes
Debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës shoqëruan dje punimet e seancës plenare të Kuvendit. Deputetët socialistë deklaruan se shumica po mban qëndrim refrektar ndaj kërkesave të opozitës, ndërsa akuzuan për mungesë vullneti për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, i cili deklaroi se vendi nuk vuan nga asnjë lloj krize dhe se po ecën i sigurt drejt përmbushjes së reformave dhe standardeve të integrimit.
“Nëse doni të sillni krizën në Shqipëri, ky është një mision i pamundur. Ju kërkoni bashkëpunim, dhe ne jemi gati për këtë, vetëm nëse nuk shkelim gati ligjet dhe kushtetutën”, tha Patozi, duke i bërë thirrje Ruçit që të mos bëjë deklarata për kriza dhe se duhet të lerë qytetarët të shijojnë futbollin, kampionati botëror, i cili starton sot.
“Nesër fillon kampionati botëror. Do t’ju lutesha të mos i bezdisni shqiptarët. Mos i bezdisni në këto ditë të kampionatit me historitë e kutive, krizës etj. Mos u bëni qesharakë. Kampionati botëror si evenimenti më i madh sportiv ka disa elementë që mund tu vijnë në ndihmë edhe juve. Kur dikush humbet i jep dorën tjetrit që fiton dhe vazhdon përgatitjen për herën tjetër, kush është arbitri etj”, nënvizoi Patozi.
Në vlerësimin e tij, Patozi nguli këmbë se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë për gjitha kërkesat ligjore të opozitës, por kurrsesi dhe me asnjë çmim s’mund të tolerohen tendencat e sfidimit të institucioneve të pavarura.
Debati i lirë në Kuvend mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës gjatë seancës së djeshme plenare u përqendrua gjithashtu edhe tek situata ekonomike në vend, në kritikat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, drafti për imunitetin etj.
Deputeti demokrat, Flamur Noka akuzoi kryetarin e bashkisë së Tiranës për mungesën e parqeve dhe mjediseve të gjelbëruara, të cilat, në mënyrë abuzive dhe klinteliste i janë dhënë firmave ndërtuese për ngritjen e objekteve të banimit. Kjo politikë, sipas tij, bëhet në kurriz të banorëve të kryeqytetit, të cilët po torturohen nga zhdukja e hapësirave të gjelbra. Ndërsa deputeti i PD-së, Viktor Gumi u ndal tek çështja e imunitetit të zyrtarëve dhe ftoi opozitën të reflektojë dhe t’i bashkohet nismës së depozituar nga maxhoranca prej disa vitesh në Kuvend.
“Projektligji i depozituar në Kuvend është një draft serioz dhe i vlerësuar për çështjen e imunitetit të parlamentarëve në fushën e veprave penale, por ende nuk kemi një përgjigje nga opozita nëse është dakord për ta miratuar dhe për të dhënë konsensus politik dhe juridik për të”, u shpreh deputeti demokrat, Viktor Gumi.