E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha inauguron shkollën e re 9-vjeçare “Gjok Elezi”, në qytetin e Laçit

Qeveria, 53 milionë euro investimet në qarkun e Lezhës, 45 herë më shumë se qeveria socialiste

Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje shkollën e re 9 vjeçare “Gjok Elezi”, në lagjen Sanxhak të qytetit të Laçit. Shkolla, e ndërtuar sipas parametrave më moderne dhe bashkëkohore ka një vlerë prej 64 milionë lekë të reja dhe një kapacitet prej 744 nxënësish. Gjithashtu shkolla ka 34 klasa të reja, 3 grupe parashkollorësh, si dhe 1 laborator modern informatike.
Ndërtimi kësaj shkolle i bashkohet investimeve të rëndësishme që janë realizuar vitet e fundit në qarkun e Kurbinit që së bashku me investimet në qarkun e Lezhës dhe Mirditës shënojnë 53 milion euro ose 45 herë më shumë se sa investimet e realizuara nga qeveritë socialiste.
Për sa i përket investimeve infrastrukturë, në rrugët nacionale dhe rurale janë investuar 50 milion euro. Ndërsa vetëm këtë vit përurohen 608 milion lekë në rrugë rurale, ujësjellës, arsim e tregje publike.
Në këtë qark, qeverisja demokratike ka realizuar 57 rrugë, 48 shkolla, 24 ujësjellës e kanalizime, 32 qendra shëndetësore e ambulance, tregun agroindustrial e Pallatin e Kulturës.
Për sa i përket investimeve në Laç ato janë : Rrugët Laç-Shën Ndou 126 milion lekë, Laç-Patok 224 milion lekë, autostrada Milot-Laç-Thumanë 7.2 miliard lekë, zgjerimi i unazës së Laçit, rikonstruksioni i KUZ, ndërtimi i tribunës së stadiumit të Laçit etj,.Laçi sivjet merr pjesë në kupat e Europës në futboll.

Berisha sfidon Ramën

“Deputetët socialistë të ndjekin ndryshimin e Shqipërisë”

Kryeministri Sali Berisha ftoi dje deputetët e opozitës, që të jenë mos lesues ndaj realitetit të zi që përcjell kryetari i tyre, kundrejt vendit dhe financimeve të veprave publike të qeverisë. Berisha kërkoi një sfidë të drejtpërdrejtë, duke anashkaluar kreun e socialistëve, pasi atij, siç tha kryeministri, “i janë errësuar gjyzlykët, pavarësisht se Shqipëria po zbardhet përditë e më shumë”.
Nga qyteti i Laçit, ku inauguroi përfundimin e disa veprave publike, kryeministri tha se deputetët socialistë, bëjnë mirë ta shohin realitetin përmes shiritave që priten.
“Unë jam këtu për t’i ftuar të gjithë deputetët e opozitës, le të vijnë dhe ata për të gëzuar së bashku inaugurimet e reja. Le të vijnë këtu dhe në çdo inaugurim sepse këto nuk janë vetëm për demokratët, këto janë për të gjithë qytetarët pavarësisht nga bindjet partiake. Zotërinj, mos shikoni realitetin me gjyzlykët e kryetarit, sepse unë ju jap fjalën e nderit se kryetarit gjithnjë e më shumë po i nxihen gjyzlykët. Urdhëroni zonja dhe zotërinj deputetë të Partisë Socialiste, në çdo komunë ku do të shkojë kryeministri jeni të ftuar, në çdo komunë ku shkojnë ministrat për inaugurim jeni të ftuar, sepse këto vepra jo vetëm që ndërtohen për të gjithë qytetarët, por ne këto vepra kanë mundin dhe djersën taksapaguesit socialist gjithashtu, si gjithë të tjerët. Duhet të vini në këto inaugurime edhe si vlerësim e respekt të madh ndaj atyre që ju kanë votuar. Jam i bindur se do të ndihmoni dhe kryetarin tuaj, duke i thënë se janë gjyzlykët ato që ta nxijnë Shqipërinë, sepse Shqipëria po zbardhet çdo ditë e më shumë”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Kreu i ekzekutivit, garantoi drejtuesit vendorë se qeveria do financojë çdo projekt në të mirë të shqiptarëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›