Dita e mjedisit, ekspertët apel për uljen e ndotjes

5 Qershori është dita botërore e mjedisit. Si në të gjithë botën edhe në Shqipëri, Ministria e Mjedisit dhe ministritë e linjës do të zhillojnë një sërë aktivtetesh sensibilizuese.
Në orën 10.45 në ambjentet e MMPAU, do të mbërrijnë një përfaqësi e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, punonjës të të gjitha ambasadave, të cilët pasi kanë mbaruar një stafetë nga ambasada në ambasadë të hipur në biçikleta, do t`i dorëzojnë ministrit të mjedisit Fatmir Mediu, flamurin e riciklimit, si e ardhmja e një mjedisi të pastër.
Ambasada Suedeze në Tiranë ka mbështetur hapjen e një ekspozite me karikatura me fokus ndikimin e ndryshimeve klimatike në mjedis. Kjo ekspozitë do të hapet në hollin e Muzeut Kombëtar, në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit.
Në anën tjetër ekspertë të mjedisit bëjnë thirrje që qytetarët të bëjnë kujdes për të mos ndotur mjedisin. Shoqatat mjedisore sot apelojnë për lëvizjen me biçikletë në vend të makinave.
Raporti i fundit i OBSH-së për Shqipërinë bënë të ditur se ndotja e mjedisit në Shqipëri është 3 herë më e lartë se normat e lejuara dhe për këtë duhet të merren masat për uljen e nivelit të ndotjes që ka dhe pasojat më të mëdha në shëndetit.