Dita e mjerimit
S`ka fasha, gjilpëra e shumë gjëra elementare në sallat e operimeve për të trajtuar normalisht rastet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sa për ilaçe që mungojnë, ky duket të mos jetë më lajm. Kjo është gjendja aktuale në QKU, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit, më 7 prill.
“Ka shumë mungesa, sidomos të fashave, gazave, vatave, gjilpërave dhe shumë gjërave elementare, madje edhe për sallat e operacionit, kurse edhe më keq qëndron puna me reparte dhe klinika”, thotë një burim i gazetës nga QKU-ja.
Express ka kontaktuar me zyrtarë për media në këtë qendër për të mësuar gjendjen e furnizimit me barna dhe material shpenzues, të cilët e pranojnë se gjendja nuk është shumë mjaft e kënaqshme.
“Sa i përket furnizimit me barna dhe material shpenzues për shërbimet emergjente si janë sallat e operacionit, Qendra Emergjente , Mjekimi Intensiv dhe Hemodializa, qëndrojmë më mirë, përderisa sa i përket shërbimeve joemergjente ka ende mungesa për të cilat Barnatorja Qendrore e QKUK-së është në kontakt të vazhdueshëm me Departamentin Farmaceutik”, thotë Shpend Fazliu, zyrtar për media në QKU.
Sipas tij, në momentin që bëhet furnizimi mujor me barna dhe material shpenzues për QKUK, atëherë prioritet për furnizim nga Barnatorja Qendrore kanë shërbimet emergjente, meqë ata nuk kanë mundësi që në tërësi t`i furnizojmë gjitha klinikat dhe repartet e QKUK-së. Pavarësisht situatës jo të mirë, krejt çfarë ka bërë Ministria e Shëndetësisë në kuadër të kësaj dite ka qenë promovimi i Strategjisë dhe Plani i Veprimit për Rezistencën e Anti-mikrobeve 2011- 2015. Promovimi i kësaj strategjie u bë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, para zyrtarëve më të lartë të MSh-së, IKSHP-së, Zyrës së OBSh-së në Kosovë, UNICEF-it, përfaqësuesve të organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare dhe profesionistëve shëndetësorë.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se është duke punuar për shërbime me të mira shëndetësore.
“MSH`ja po merret me probleme madhore reformuese, që kanë të bëjnë me krijimin e pozitës më të mirë për punonjësit shëndetësorë dhe ofrimin e shërbimeve më të mira shëndetësore në vendin tonë”, ka thënë ai.
Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, ka thënë se Strategjia dhe Plani i Veprimit për Rezistencën Anti-mikrobike 2011-2015 hap rrugën për aktivitete që janë të nevojshme për kontrollin dhe parandalimin e rezistencës anti-mikrobike, ndërsa IKSHP do t’i ofrojë në dispozicion të zbatimit të kësaj strategjie të gjitha kapacitetet e veta diagnostikuese. E Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se rezistenca anti-mikrobike është ende në rritje në Evropë.
“Trajtimi më i mirë është përdorimi i drejtë i antibiotikëve”, tha ai. Ditët e shënuara sa i përket sistemit të shëndetësisë vijnë dhe shkojnë, por situata mbetet thuajse e njëjtë.